Refuzoi shiritin e kapitenit, pezullohet mbrojtësi i Flamurtarit

Refuzoi shiritin e kapitenit, pezullohet mbrojtësi i Flamurtarit

Përveç rezultateve negative në fazën e tretë dhe n rrezikut që po i afrohej nga vendi i fundit në tabelën e klasifikimit, trajneri Duro i është dashur të përballet edhe me një tjetër problem para ndeshjes ndaj Lushnjës. Në mungesë sulmuesit kroat Tomislav Bushiç, pozicioni i kapitenit në skuadër kishte mbetur vakant. Dhe para ndeshjes, trajneri Duro i ka kërkuar mbrojtësit Franc Veliu që ta mbante shiritin në atë përballje. Por, çuditërisht, Veliu që është një nga lojtarët e paktë vendas te Flamurtari ka refuzuar që të jetë kapiten ndaj Lushnjës. Një përgjigje e tillë ka irrituar shumë trajnerin Duro, që ka vendosur të mos e aktivizojë fare futbollistin në atë përballje, si një masë ndëshkimi. Një vendim i tillë i Veliut, ndoshta ka ardhur edhe prej pakënaqësisë që gjatë sezonit nuk ka gjetur hapësirat e nevojshme në formacion. Gjithsesi Flamurtari arriti të fitonte në atë ndeshje dhe të largohej me pikë nga vendet që rrezikojnë rënien nga tabela e klasifikimit.

Për debatin e shkurtër mes trajnerit Duro dhe mbrojtësit Veliu është vënë në dijeni edhe administratori Idrizi. Ai ka konfirmuar se ka pasur një konflikt, por do të merret me detajet në ditët në vijim. Nuk dihet se sa ditë do të jetë pezullimi për lojtarin, pasi një vendim të tillë do ta marrë trajneri. Për të mund të ketë edhe një masë administrative me gjobë nga ana e klubit.

Te skuadra vlonjate ka pasur gjithmonë polemike në lidhje me merkaton që trajneri kryeqytetas ka bërë. Ai është vënë në shënjestër pasi nuk ka afruar mjaftueshëm futbollistë vendas dhe është bazuar te lojtarët e ardhur nga jashtë vendit, kryesisht nga kampionati maqedonas. Gjithsesi rezultatet e dy fazave të para i dhanë të drejtë trajnerit, ndërsa në fazën e tretë skuadra çaloi. Flamurtari vazhdon të jetë në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë dhe ka fituar takimin e parë ndaj Skënderbeut dhe ka hedhur një hap drejt finales. /EDS/