Rekordi i pabesueshëm i Benzema, vetëm Raul e Messi si ai

24 Tetor 2018

Karim Benzema i është bashkuar një grupi tepër ekskluziv që nga e marta, pasi u bë i treti lojtar që ka mundur të shënojë gol në 14 sezone rresht të Champions League.

Sulmuesi i Real Madrid shënoi golin e parë për klubin spanjoll në fitoren e ngushtë 2-1 kundër Plzen, duke mundur të realizojë për të 14-tin sezon rresht të kompeticionit më të rëndësishëm kontinental. Përveç tij këtë rekord fantastik e kanë arritur vetëm legjenda e Real Madrid Raul dhe Lionel Messi.

Golin e parë në Champions League Benzema e ka shënuar në sezonin 2005-2006 kur luante te Lyon, në fitoren 2-1 kundër Rosenborg. Pasi qëndroi edhe për tre sezone të tjera në Francë, sulmuesi kaloi te Real Madrid në verën e vitit 2009, ku nuk ndaloi së shënuari gola në Champions League.

Në sezonin 2011-2012, Benzema pati edhe sezonin më produktiv për Los Blancos pasi shënoi 7 gola në 11 ndeshje. Mesatarisht ai ka shënuar 5 gola në 6 sezonet e fundit dhe e ka fituar 4 herë trofeun.

Edhe Lionel Messi u fut në këtë grup ekskluziv këtë sezon, kur shënoi një tripletë kundër PSV Eindhoven në fillim të kompeticionit, ndërsa në total ka realizuar 105 gola në 127 ndeshje në Champions League.

Raul Gonzalez ishte i pari që shënoi gola për 14 sezone rresht, ndërsa në total ka realizuar 72 gola në 142 ndeshje në Champions League./EDS/

**********

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota ne kohe reale nga Futbolli dhe sportet tjera.