Rikthehet Tyson Fury: Kam lënë pas makthet

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
12 Dhjetor 2017 21:57
Rikthehet Tyson Fury: Kam lënë pas makthet

Boksieri britanik Tyson Fury ka fituar shansin të rikthehet në arenën e boksit. Ish-kampioni i botës në kategoritë WBA, WBO dhe IBF ka arritur marrëveshjen me organin britanik të antidopingut (UKAD)duke pranuar shkeljen e rregullores së ndalimit të përdorimit të lëndëve të konsideruara si doping.

Njeriu që mposhti legjendarin Wladimir Klitchkon pas 11 vitesh dominim absolut të peshave të rënda garantoi se do të kthehet aktiv në atë që ai di të bëjë më mirë.

“Tani i kam lënë pas makthet e dy viteve të kaluara, të cilat kanë qenë tepër të rënda për familjen time. Vitin e ardhshëm unë do të kthehem të bëj atë që bëj më mirë, më i zoti se kurrë dhe do të jem gati të rifitojë tituj që me të drejtë më takojnë mua. Është koha të nisim festën”, deklaroi entuziast rikthimin e mundimshëm ne jetën agresive të boksit Tyson Fury.

UKAD zbuloi në vitin 2015 se Fury rezultoi pozitiv në testin antidoping pasi në organizmin e tij u gjetën gjurmë të steroidit nandrolinë, të cilin britaniku e kishte marrë nëpërmjet konsumimit të mishit të derrit të egër. Për rrjedhojë ai u dënua nga institucioni I antidopingut.

Kontradiktat me UKAD-in vazhduan dhe në vitin 2016 ku “Gypsy King” nuk pranoi të kryente testet e planifikuara për përdorimin ose jo të dopingut. Por dalja nga situata e ndërlikuar u bë më e pamundur kur ai pranoi zyrtarisht në një komunikatë se kishte përdorur dhe lëndë narkotike kokainë për të përballuar problemet mendore.

Pavarësisht se ai rezultoi pozitiv në testin antidoping pas duelit me rumunin Christian Hammer, ndeshja kundër “Doctor Steelhammer” e vlefshme për titujt WBA, WBO dhe IBF njihet si ndeshje korrekte e fituar me meritë nga Fury.

Ish-kampioni në tre kategoritë prestigjioze të peshave të rënda duhet të fitojë licencën e boksierit nga Bordi Britanik i Boksit për Kontrollin e licencës (BBBofC), të cilën ia hoqi në vitin 2016. 29-vjeҫari po shqyrton kandidatët e mundshëm me të cilët duhet të përballet dhe njëri prej tyre është i shumëkërkuari Anthony Joshua.

Kërkesa për kod të ri
Ne ju kemi dërguar një link për të ndërruar kodin. Ju lutem kontrolloni postën tuaj elektronike