“Ronaldo e vendos vetë nëse luan apo jo”, Sarri: Në fillim festa e titullit, pastaj Lioni

01 Gusht 2020

Me Juventusin që ka siguruar titullin e nëntë radhazi, sfida e sotme ndaj Romës ngjason më tepër si një pasarelë për kampionët. Në kushte normale situata e tillë do të ishte, por me Champions-in në horizont, Mauricio Sarri duhet të mendojë edhe për të menaxhuar energjitë.

Në deklaratat pas humbjes me Kaljarin, tekniku tha se ndaj Romës mund të detyrohej të hidhte në fushë lojtarë nga formacioni U-23 juventin, aspekt për të cilin në konferencën e djeshme për shtyp u shpreh: “Do të vlerësoj gjithçka pak përpara ndeshjes. Kush ka nevojë për pushim do të ndalojë, teksa do të luajë kush mundet. Nuk kam folur kurrë për gabime në kalendar, por thjesht bëra një konstatim sepse nga 20 korriku deri më 1 gusht na është dashur të zbresim pesë herë në fushë.

E kuptoj vështirësinë e atyre që ndërtojnë kalendarët. Nuk është e lehtë për ne që të përshtatemi e as për ata që i krijojnë”. Atyre që mendojnë se po krijon paraprakisht një alibi, Sarri u përgjigjet: “Mendoj se italishtja ime është mjaftueshëm e mirë për të kuptuar kur flas për konstatim. Kalendari është i vështirë, por kemi detyrë të bëjmë maksimumin. Lidhur me këtë temë nuk kam asnjë qëllim tjetër të fshehtë”.

CHAMPIONS – Juventusi ka ritmin e kampionatit, por edhe shenja lodhjeje. Lioni në anën tjetër ka tre muaj pa ndeshje zyrtare (përveç finales së Ligës) dhe formën nuk mund ta ketë maksimale. Sarri ka dyshimet e tij teksa shpjegon: “Nuk mund ta them cili është i favorizuari fizikisht i kësaj situate.

Takimi ynë me Romën nuk mund të jetë një provë gjenerale për Lionin, pa harruar pastaj edhe anën emocionale të çështjes. Për francezët do të mendojmë në javën në vijim, ndaj me verdhekuqtë do të luajnë ata që janë më mirë duke u përpjekur të bëjnë maksimumin e ta mbyllim kampionatin me festë”.

RONALDO – Kristiano Ronaldo është mes dyshimeve të Sarrit për takimin e sotëm. “Do të shohim se si do të jetë. Katër ditë më parë ishte gati të luante, ndaj gjithçka është në dorën e tij dhe të stafit mjekësor”, tha trajneri lidhur me yllin portugez. Komenti i radhës kishte lidhje me sezonin, i cili, sipas teknikut, ka qenë anormal. “Ishte një sezon sfilitës për të gjithë.

Një kampionat që zgjat 12 muaj nuk ishte parë kurrë dhe ju siguroj që ka qenë i vështirë për të gjithë sepse, përveçse fizikisht, na ka lodhur edhe mendërisht. Personalisht jam gati të rifilloj edhe 12 orë pas gjithë kësaj lodhjeje, por kjo ndodh sepse kështu jam gatuar unë e më nevojitet fare pak kohë për të marrë veten. Gjithsesi, mendoj se 20 ditë pushime për të gjithë duhet të ishin të detyruara, përndryshe do të kemi probleme në sezonin e ri, kur në tetor e nëntor të gjithë do t’i kenë shkarkuar bateritë. Uroj të gjendet një zgjidhje, pasi në fund të sezonit të ri na pret edhe Europiani”, vijoi Sarri.

PIRLO – Familjes juventine i shtohet edhe Andrea Pirlo që sezonin e ri do të stërvisë Juventusin U-23. Fjalë të ëmbla nga ana e trajnerit për kolegun më të ri, për të cilin u shpreh: “Të punoje me dikë si Pirlo do të kishte qenë kënaqësi për këdo, por veçanërisht për mua e për mënyrën se si e shoh unë futbollin. Mendoj se Pirlo në skemat e mia do të ishte gjendur mirë. I siguroj Andreas se djemtë e U-23 kanë cilësi dhe entuziazëm, megjithatë nëse ka pyetje, do të jem shumë i lumtur që t’i përgjigjem”.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

www.panorama.com