Rooney e këshillon Sanchon që të mos kalojë te Unitedi

08 Korrik 2019

Legjenda e Anglisë, Wayne Rooney, e ka këshilluar Jadon Sanchon që të qëndrojë te Borussia Dortmundi.

Sulmuesi anglez që luan aktualisht në Amerikë, ka thënë se bashkëkombësi i tij duhet të qëndrojë në Bundesliga dhe të formohet edhe më shumë si lojtar.

Sulmuesi 33-vjeçar është në dijeni se Manchester Unitedi po e kërkon 19-vjeçarin, mirëpo ai e ka këshilluar që të qëndrojë te Dortmundi dhe të zhvillohet akoma më shumë.

Wayne Rooney (Foto Patrick McDermott/Getty Images/Guliver)

“Duhet të bazoheni gjithmonë nga talenti i lojtarëve të rinj. Një talent i madh është edhe Sancho, mund ta shikoni progresin që ka bërë ai në 12 muajt e kaluar, Është argëtuese ta shikosh atë duke luajtur”, ka thënë ish-anëtari i Anglisë për Bild am Sonntag.

“Ai me siguri e pyet veten se a duhet të qëndrojë te Dortmundi apo të rikthehet në Angli. Unë i them se duhet të qëndrojë te Dortmundi edhe për disa vite dhe të zhvillohet si lojtar, në mënyrë që të jetë i gatshëm të luajë në skuadrat më të mëdha në botë”.

Lexo po ashtu: Sancho rikthehet në radarin e Manchester Unitedit

“Manchester Unitedi? Unë kam dashuri të madhe për klubin, por Sancho ende ka nevojë për kohë dhe që të shndërrohet, pse jo, edhe në lojtarin më të mirë në botë”, ka shtuar më tej Rooney.

Anglezi aktualisht po luan te DC United në ligën e Amerikës, e që ende po tregon se mund t’i ofrojë shumë futbollit, sidomos me golat që ka shënuar nga distanca në ndeshjet e fundit. /Telegrafi/

www.telegrafi.com