Rrëfehen Kapllanaj, Dovedan, Lici dhe xhaketat e zeza, mungon Tirana, Etika nis zyrtarisht hetimin për Bylis-Tirana

09 Korrik 2020

Zhurma e madhe që krijoj Bylis-Tirana trazoi jo pak ambientin sportiv, një sfidë e cila detyroj Federatën Shqiptare të Futbollit të nis një hetim zyrtar. Pasi kërkoj informacione nga “Sport Redar” për lëvizje të dyshimta koeficientesh, FSHF ka ndërmarrë një tjetër hap zyrtar këtë të enjte. Në zyrat e FSHF-ës, në sektorin e Komisionit të Etikës, janë paraqitur disa nga protagonistët më të rëndësishëm të atij takimi, duke nisur nga gjyqtari i takimit Juxhin Xhaja, gjyqtari i katërt dhe delegatët e këtij takimi, ku kanë rrëfyer të parët se çfarë kanë parë për ato 90 minuta. I radhës që u paraqit në zyrat e FSHF-ës ishte administratori i Vllaznisë, Suad Lici i cili pak ditë më parë akuzoj publikisht presidentin e Bylis, Besnik Kapllanaj se kishte ndikim tek gjyqtarët.

Pas një pritje të gjatë në zyrat e Etikës ishte radha e presidentit të Bylis, Besnik Kapllanaj i cili shoqërohej nga trajneri Dovedan dhe nga mbrojtësi Goxhaj, me këtë të fundit që humbi një 11-metërsh në minutën e 93-të. Të tre pjesëtarët e klubit ballshiot kanë dhënë versionin e tyre për atë sfidë të fituar me përmbysje. Munguan në këtë raund të parë përfaqësues të klubit të Tiranës të cilët do të dëgjohen në një kohë të dytë. Burime pranë klubit bardheblu bëjnë me dije për “BalkanWeb” se përfaqësuesit e klubit të tyre do të dëgjohen të martën e ardhshme.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.Grupi Balkanweb
www.balkanweb.com