Rregullorja absurde, kur FIFA dhuronte ndeshjen më të çuditshme të historisë

Ti mund ta lexosh kete ne 3 min.
5 Janar 2018 18:26
Futbolli humbi kuptimin, "tallava" në fushë

Është Krishtlindje dhe ju jeni duke zhvilluar një ndeshje në FIFA ose PES me disa nga miqtë tuaj. Jeni duke fituar ndeshjen e fundit me një gol diferencë, por për të fituar turneun ju duhen dy gola dhe ndeshja është gati të përfundojë. Pastaj  vendosni të bëni një gol dhe kështu ju shkoni në kohë shtesë kur keni më shumë kohë për të shënuar dy gola. Diçka e komplikuar, por rasti mund ta ketë sjellë një mendim të tillë edhe te ju. Nëse ju duket përtej imagjinatës, besojeni se një situatë të tillë e kemi parë një herë në fushën e lojës!

27 janar 1994. Po zhvillohet faza e parë e Kupës së Karaibeve. Në grupin 1, Porto Riko i ka djegur shanset të kalojë grupin: humbja 1-0 kundër Barbados dhe humbja 0-2 kundër Grenadës në mënyrë të pashmangshme, e largojnë atë nga gara. Ndeshja e tretë dhe përcaktuese për fatin e grupit është ajo ndërmjet Barbados dhe Grenada-s.
Duke bërë një llogari të thjeshtë, Barbado-s duhet të fitojë ndeshjen me të paktën dy gola dhe, fatmirësisht për ta, ndeshja është 2-0. Megjithatë, në minutën e 83-të, Grenada përfiton nga një autogol, që do t'i jepte kualifikimin.

Barbados duket se ka vetëm një shpresë, për të çuar rezultatin në 3-1 në pjesën e mbetur të minutave, por turneu ka një rregullore të çuditshme të krijuar nga “mendjet gjeniale” të FIFA-s. Jemi në mesin e viteve nëntëdhjetë, qeveria e futbollit botëror po kalon një periudhë konfuzioni dhe po kërkon forma të ndryshme që të bindin ekipet që të mos i kushtojnë më shumë vëmendje mbrojtjes, por sulmit. Në këtë ketë kompeticion pak të njohur të Karaibeve vendoset të eksperimentohet një lloj “golden goli” i  veçantë: ndeshjet në barazim të gjitha shkojnë në kohë shtesë, çdo gol në tridhjetë minutat e fundit vlen dyfish dhe një fitore me penallti vlen si një gol.

Kështu, Barbados përpiqet fillimisht për të sulmuar, pastaj vendos të ndalet. Ndiqni pesë minutat më absurde të historisë së futbollit. Në minutën e 87, portieri Stout dhe mbrojtësi Sealy qarkullojnë topin disa herë përpara portës së tyre, derisa Sealy e godet topin në rrjetën e tij. Rezultati barazohet, më 2-2, dhe Barbados ka gjysmë ore shtesë kohe, për të kërkuar një gol që është me vlerë dyfish dhe që do t’i kualifikonte.

 

Grenada në këtë pikë duhet të shënojë gol në cilëndo nga portat përpara fundit të ndeshjes. Lojtarët e Barbados e dinë këtë dhe vendosin të ndahen në dy grupe, dhe të mbrojnë të dy portat në mënyrë, që të mos shënohet asnjë gol, ndërsa lojtarët e Grenadës mbeten të çorientuar në mes të fushës dhe nuk dinë çfarë të bëjnë.

Koha e rregullt mbaron me rezultatin 2-2 dhe plani djallëzor i Barbados realizohet , pasi Thorne shënon golin që është me vlerë të dyfishtë, që përcakton rezultatin në 4-2 dhe lejon ekipin e tij kombëtar të kualifikohet. Megjithatë, Barbadosi dinak nuk shkon dot më larg dhe menjëherë eliminohet nga Guadeloupe dhe Trinidad dhe Tobago në fazën e dytë. / EDS, përgatiti: M. SH/

Kërkesa për kod të ri
Ne ju kemi dërguar një link për të ndërruar kodin. Ju lutem kontrolloni postën tuaj elektronike