“Rusi 2018” / FIFA kërcënon Spanjën me përjashtim, ja prapaskenat!

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
15 Dhjetor 2017 21:41
“Rusi 2018” / FIFA kërcënon Spanjën me përjashtim, ja prapaskenat!

FIFA kërcënon Spanjën me përjashtim nga Botërori “Rusi 2018”. Lajmin e bën të ditur e përditshmja spanjolle “El Pais”: në bazë të kësaj historie duket se janë “ndërhyrjet e qeverisë spanjolle në zgjedhjet e presidentit të ri të Federatës Spanjolle të Futbollit” që u zhvilluan pas skandalit, ku u përfshi Angel Maria Villar, i arrestuar korrikun e kaluar për korrupsion.

“El Pais” shkruan se federata iberike ka marrë një shkresë nga FIFA, ku shpjegohet se ndërhyrjet e bëra nga qeveria mund të sjellin përjashtimin e kësaj federate nga anëtarësia e FIFA-s dhe si pasojë përjashtimin nga të gjitha garat, përfshirë edhe Botërorin. Sipas gazetës spanjolle, ajo që provokoi reagimin e FIFA-s ishte propozimi i Këshillit Superior të Sportit (i kontrolluar nga qeveria) për të zhvilluar zgjedhje të reja për presidentin e Rfef: propozimi i është dërguar Këshillit Superior nga Gjykata Administrative e Sportit, në një kohë që këshilli nuk e ka dhënë ende mendimin e vet. Për FIFA-në bëhet fjalë për një ndërhyrje që vë në rrezik autonominë e federatës, në shkelje të statutit.

Ndërkaq, presidenti i Federatës Spanjolle, Juan Luis Larrea ka deklaruar se në axhendë ka një mbledhje informuese me Gianni Infantinon, presidentin e FIFA-s, Ministrin spanjoll të Arsimit, Iñigo Mendez de Vigo dhe sekretarit të Shtetit për Sportin, José Ramón Lete. Gjithsesi, ai mohon faktin se Spanja rrezikon të përjashtohet nga Botërori i 20180-s: “Askush nuk e përjashton Spanjën nga Botërori. Është diçka e pamundur dhe për të cilën nuk është folur në asnjë rast. Nuk do të ndodhë. Çfarë pretendojnë? Që të përjashtojnë Spanjën për t’i lënë vendin Italisë? Federata funksionon rregullisht dhe kombëtarja e ka fituar biletën për në Rusi duke fituar në fushë, në këtë pikë ne dhe FIFA biem dakord”.

PRECEDENTËT – Nuk është hera e parë në fakt që Spanja merr një paralajmërim të tillë: në vitin 2008, në prag të Euro 2008 (turne që u fitua nga kombëtarja spanjolle), federata spanjolle rrezikoi përjashtimin nga kompeticionet ndërkombëtare. Dhe nuk është sërish hera e parë që del në skenë mundësia e përjashtimit të një kombëtareje të kualifikuar për në finalet e Botërorit të ardhshëm.

Në fakt, nëntorin e kaluar, u fol për Perùnë, për shkak të një projektligji të propozuar nga Paloma Noceda, presidente e Komisionit të Arsimit, Rinisë dhe Sportit të parlamentit peruan.

Sipas këtij propozimi Federata Peruane e Futbollit do të kalonte në varësi të Institutit Peruan të Sportit, një organizëm shtetëror: për FIFA-n nuk do të ishte një skenar i pranueshëm, duke qenë se lidhjet mes federatave të futbollit dhe politikës janë të ndaluara./EDS/

 

Kërkesa për kod të ri
Ne ju kemi dërguar një link për të ndërruar kodin. Ju lutem kontrolloni postën tuaj elektronike