Sarri: Dhashë maksimumin tek Napoli, 91 pikë nuk janë pak

Sarri: Dhashë maksimumin tek Napoli, 91 pikë nuk janë pak

Maurizio Sarri ka lënë një shenjë të prekshme te Napoli. Nën drejtimin e tij, ekipi napolitan garoi për titullin kampion deri në javën e fundit, ndërsa grumbulloi më shumë pikë (91) se asnjëherë tjetër në epokën e presidentit De Laurentiis. Në fund të sezonit të kaluar mbërriti lamtumira e trajnerit në fjalë, e cila nuk ishte fort e paqtë. Klubi i Chelsea vendosi t’ia besojë Sarrit drejtimin e skuadrës. Dhe rezultatet e deritanishme janë një arsye për të treguar se bëri mirë. Blutë e Londrës kanë qenë në gjendje të integrohen më mirë në realitetin e ri, me filozofinë e Sarrit.

Një nga faktet më interesante ështe se Chelsea nuk e di ende se çfarë është humbja në Premier League, këtë edicion. I intervistuar ekskluzivisht nga “La Gazzetta dello Sport”, Sarri nuk ka humbur mundësinë për të lëvduar kampionatin anglez, që e mirëpriti atë disa muaj më parë: “Unë, në këtë moment, jam shumë mirë. Atmosfera është fantastike, futbolli është spektakolar dhe një trajner mund të argëtohet. Klopp? Në një moment u ktheva tek ai dhe pashë se po qeshte. Iu afrova dhe e pyeta përse. Ai më tha: Unë po kaloj një kohë të mirë, po ti? Iu përgjigja: Patjetër që jam i lumtur, si mund të jesh ndryshe kur jeton kësi situatash, kur e kupton se je ngjitur vërtet lart”.

Te Napoli, ai la një trashëgimi të rëndësishme, të pasuar nga një tjetër trajner i nivelit të lartë, si Ancelotti. Lidhur me rekordin e vendosur prej tij te Napoli i epokës së De Laurentiis, grumbullimin e 91 pikëve, Sarri shtoi: “Unë mendoj se aspekti numerik është gjëja më e dukshme, por ia kemi dalë të luajmë edhe një futboll të bukur dhe argëtues për tifozët. Kemi marrë komplimenta edhe nga jashtë Italisë për këtë. Unë e kam marrë Napolin, sapo e kishte përfunduar kampionatin me 64 pikë, dhe e kam lënë me 91. Janë vërtet më shumë.

Kjo nuk mund të jetë një trashëgimi vetëm personale e imja, por i përket krejt qytetit dhe popullit napolitan. Unë kurrë nuk do të shkëputem nga Napoli, e kam lënë një pjesë të zemrës atje. Kjo qasje është e nderuar për të gjitha palët”. A ka ndonjë fjalë për ish-presidentin De Laurentiis? Pavarësisht se ky i fundit e ka thumbuar disa herë publikisht, Sarri vetëm e falënderoi: “Nuk kam asgjë për të thënë, vetëm mund ta falënderoj atë. Ai më dha kënaqësinë më të madhe personale në jetën time, duke më besuar Napolin, ekipin e zemrës dhe origjinës sime. Kjo ishte një aventurë e mrekullueshme, që nuk mund të eklipsohet nga askush”. Sipas trajnerit italian të Chelsea, Seria A mund të ofrojë disa surpriza në luftën për titull: “Ky Juventus ka një përparësi: Ligën e Kampionëve. Në fund, kjo mund të provojë të jetë një avantazh i vogël për të tjerët, në garën e titullit në Itali”. /EDS/

***********************

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota në kohë reale nga Futbolli dhe sportet e tjera.