Sarri e cakton kapiten, Willian e nderon në Greqi (VIDEO)

Një supergol i shënuar shpejt nga Willian i dha Chelseat fitoren minimale në fushën e zjarrtë të PAOK-ut të Selanikut këtë të enjte, në ndeshjen e parë të grupit L të Europa League.

Braziliani ishte emëruar kapiten në këtë mbrëmje nga Maurizio Sarri dhe e shpërbleu më së miri teknikun italian për këtë, duke realizuar golin e vetëm të ndeshjes që në minutën e shtatë.

Londinezët e dominuan ndeshjen që nga minuta e parë dhe pas golit patën raste të tjera për të rritur edhe më shumë avantazhin. Alvaro Morata humbi dy raste të mira në pjesën e parë, duke u treguar i pasaktë një herë me këmbë dhe një herë me kokë, ndërsa Pedros iu mohua goli nga portieri grek, Alexandros Paschalakis.

Edhe në pjesën e dytë Chelsea e nisi me një marsh më shumë duke treguar diferencën në cilësi që ka një skuadër e cila pretendon të fitojë kampionatin anglez. Marcos Alonso provoi të realizonte golin e dytë në minutën e 62-të, por përsëri gjuajtja e tij u bllokua.

Në të 72-tën Pedro pati një mundësi shumë të mirë për të realizuar pasi goditi në hyrje të zonës së PAOK, por përsëri portieri grek u tregua i zoti të shmangte golin dhe të vuloste humbjen minimale të të tijëve.

Chelsea kthehet në Londër për të përgatitur sfidën e së dielës kundër Ëest Ham, një derbi që premton të jetë i nxehtë duke parë që skuadra e Pellegrinit ka realizuar vetëm një fitore në pesë javë kampionat, pikërisht ndeshjen e fundit kundër Everton./EDS/

**********

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota ne kohe reale nga Futbolli dhe sportet tjera.