“Setien ka mendimin e tij”, flet Kuman: I pranoj kritikat dhe marr përgjegjësinë time, me Mesin nuk kam…

04 Nëntor 2020

Ronald Kuman ka marrë në mbrojtje kapitenin e Barcelonës duke thënë se fjalët e Setienit nuk qëndrojnë. Ai thotë se të punosh me Mesin është diçka fantastike dhe shpreson që klubi të vazhdojë ecurinë pozitive në Europë.

OBJEKTIVI – “Objektivi është i njëjtë, të luajmë mirë futboll dhe të krijojmë raste për të fituar ndeshjen. Sfidat që luajmë në shtëpi duhet t’i fitojmë patjetër. Për momentin duhet të vazhdojmë rrugëtimin pozitiv në Champions”.

“COVID” – “Kemi folur me kundërshtarin dhe e dimë që Dinamo e Kievit ka probleme. Por kanë bërë testet këtë paradite dhe të shohim çfarë do të ndodhë. Do të zbatojmë rregullat e UEFA-s”.

TER SHTEGEN – “Po punon me grupin prej një jave dhe e shoh mirë. Ka qenë jashtë fushave të lojës për një kohë të gjatë, por po punon mirë. Kemi edhe një stërvitje të fundit përpara ndeshjes dhe të shohim nëse do të jetë i grumbulluar”.

PROJEKTI – “Unë kam marrë shumë komente nga njerëzit, të cilët më thonë se janë të lumtur, por jo për pikët që kemi në kampionat. Ne jemi skuadra që kemi krijuar më shumë raste të pastra për ndeshje. Duhet të përmirësohemi në këtë aspekt, por nuk jemi të kënaqur. Imazhi deri tani është pozitiv”.

SULMUESI – “E kam thënë disa herë që na mungon një lojtar në këtë rol. Por sigurisht që nuk dua t’i bëj presion klubit për këtë aspekt. Duhet të shikojmë edhe situatën ekonomike. Nëse ajo nuk është e mirë, atëherë do të vazhdoj punën me këta lojtarë që kam në dispozicion”.

TË RINJTË – “E dimë që kemi lojtarë të rinj dhe me kualitet. Gjithmonë varet nga rendimenti dhe ajo që do të tregojnë në fushë këta lojtarë. Unë si trajner duhet t’i mbroj të rinjtë. Pedri është një i ri që nuk mund t’i luajë të gjitha ndeshjet. Por sigurisht që mund të luajë një pjesë të madhe të tyre”.

SI LOJTAR – “Ndeshja që kemi bërë kundër Dinamos së Kievit është një nga më të mirët. Ishte një skuadër e fortë në atë kohë. Kur flas me Guardiolën e kujtojmë shpesh këtë sfidë”. LEO MESI – “Për mua Leo Mesi është një lojtar fantastik, më i miri në botë. Çdo ditë shoh ambiciet e tij dhe karakterin fitues. Nuk kam fare probleme për të punuar me të. Për mua është kapiteni i skuadrës, flas me të gjithmonë mbi gjërat e ekipit. Nuk jam fare dakord me Setienin. E respektoj atë, por nuk mendojmë njëlloj për Mesin”.

KRITIKAT – “Sigurisht që i kuptoj kritikat. Të grumbullosh vetëm 2 pikë në katër javë nuk është diçka e mirë. Është normale që të kemi kritika. Unë i pranoj dhe marr përgjegjësinë time për këto. Duhet të punojmë për t’i përmirësuar gjërat. Kurrë nuk ka një ditë të qetë në futboll sepse gjithmonë ndodh diçka. E rëndësishme është të fitojmë”.

PËLQIMET – “Nga skuadra më pëlqen fakti që punojnë. Kemi ndryshuar intensitetin e stërvitjeve, lojtarët janë të hapur për të dëgjuar”.

PANORAMASPORT.AL

www.panorama.com