Shkëndija dhe Partizani mësojnë kundërshtarët në Ligën e Kampionëve

18 Qershor 2019

Është hedhur sot në Nyon të Zvicrës, shorti i eliminatoreve të Ligës së Kampionëve, ku ka qenë i pamëshirshëm për kampionët e Shqipërisë, Partizanin.

“Të kuqtë” do të përballen që në turin e parë me kampionët e Azerbajxhanit, Qarabag, të cilët janë një ekip i konsoliduar, që luajnë prej kohësh në grupet e Ligës së Kampionëve dhe Ligën e Evropës.

Kjo është hera e dytë radhazi që azerët përballen me një skuadër shqiptare, pasi verën e kaluar u ndeshën me Kukësin, në turin e dytë eliminator dhe pas një barazimi pa gola në Shkodër, fituan 3-0 në shtëpinë e tyre.

Lexo po ashtu: Feronikeli mëson kundërshtarin nëse e kalon fazën parakualifikuese të Ligës së Kampionëve

E nëse Partizanit i ka rënë keq shorti, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Shkëndijën.

Ata kanë gjetur përballë estonezët e Nomme Kalju, një skuadër modeste dhe lehtësisht e kalueshme.

Ndeshjet zhvillohet me 10 dhe 11 korrik, ato kthyese pas një jave. /Telegrafi/

www.telegrafi.com