Shqipëria fiton ‘Vëllazëroren’ me Kosovën në ”Elbasan Arena”, Uzuni spikat me gol e asist

11 Nëntor 2020

Të bashkuar në një himn por në ndarë në dy përfaqësuese, Shqipëria dhe Kosova zbritën në fushë në një atmosferë të akullt, pa tifozë si pasoj e kushteve të imponuara nga COVID-19, në rrethana të tjera atmosfera në shkallët e stadiumit do të ishte elektrizuese. Kjo ishte një vëllazërore ndryshe, ku të dy stafet teknike do ta kishin shmangur me kënaqësi. Edi Reja e shfrytëzoj këtë sfidë për të parë në aksion disa lojtarë të rinjtë të vendosur si rrallë herë në një skemë ndryshe, 4-3-3. Italiani i rezervoi një fanellë kuqezi për herë të parë tre lojtarëve Hoxhallari, Albi Doka dhe Çepele, ndërsa në formacion kishte disa rikthime si Ismajli, Ramadani, Uzuni dhe Bekim Balaj, praktikisht një formacion ndryshe nga se ishim mësuar në sfidat e fundit.

Miqësorja nisi me një ritëm të ulët me shumë pak raste për shënim për të dy ekipet, përjashto këtu ndonjë dalje të shpejtë të Uzunit në krahë. Talenti beratas ishte dhe protagonisti kryesor në minutën e 31-të ku një shpërthim i tij solli dhe golin e avantazhit. Uzuni shërbeu pastër në zonë Bekim Balaj i cili nuk gaboi duke dërguar topin në rrjetë dhe Shqipërinë në avantazh.

Në pjesën e dytë po me një kundërsulm Uzuni u gjet para portierit të Kosovës duke e mposhtur lehtësisht. Beratasi i talentuar duket se është njeriu i momentit tek kombëtarja. Për Kosovën ngushtoi diferencat Vedat Muriqi me penallti teksa tashmë dy kombëtaret do të luajnë ndeshjet e fundit në grupet e Ligës së Kombeve ku do të tentojnë kualifikimin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.Grupi Balkanweb
www.balkanweb.com