Skandal në Lushnje, trajneri i Bylisit goditet në kokë

Lushnja na riktheu sot shumë vite pas në kohë. Një situatë kaotike që të themi të drejtë na kishte marrë malli ta shihnim, sepse ne shqiptarët kemi shumë adrenalinë. E si pasojë e adrenalinës vijnë dhe ndëshkimet.

Sot, në ndeshjen Lushnja – Bylis është goditur në kokë trajneri boshnjak i mallakastriotëve, Veljko Dovedan, ndërkohë që edhe sulmuesi që shënoi golin, Koffi Dosseh është goditur në momentin e golit dhe ka hematoma.

Për teknikun është dashur ndihmë e specializuar, sepse i është nevojitur qepje në kokë dhe pas ndeshjes ai nuk ka dalë në konferencë për shtyp të organizuar pas takimit. Jo vetëm kaq, por gjatë gjithë ndeshjes ekipi mallakastriot është sharë dhe goditur me gurë nga tifozët lushnjarë, të cilët kanë pasur mllef kundër bardhekuqve, që vetëm ata e dinë ku iu buron.

Gazetarja – RTSH është e vetmja platformë që transmeton direkt ndeshjet e Kategorisë së Parë, por kjo nuk ka mjaftuar që policia private në Lushnje të nxjerrë me dhunë jashtë stadiumit gazetaren Sabina Mete. E vetmja femër në atë ambient të papranueshëm për t’u transmetuar direkt në televizion, por sërish e pësoi. FSHF, duket se ka ardhur koha të përjashtosh ndonjë tjetër skuadër. Shqipërisë i duhet një shembull që të gjithë të zënë mend! /EDS/

*************************

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota në kohë reale nga Futbolli dhe sportet e tjera.