Southgate dhe Hart: Nuk ishte aspak e lehtë

05 Tetor 2017

Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate u shfaq i kënaqur për kualifikimin në fazën finale të botërorit “Rusi 2018”. Duke folur për “ITV Sport” ai deklaroi se e priste që Sllovenia të luante shumë fort ndaj tyre. “Ne luajtëm kundër një ekip që ka pësuar vetëm katër gola në grup dhe nuk ishte aspak e lehtë. Ne nuk ishim aq efikas sa duhet, por ne e fituam këtë ndeshje. Ishim përgatitur për të shënuar gol nga fillimi deri në fund të ndeshjes, nuk është rastësi nëse vazhdojmë të shënojmë gola të vonshëm”. Më tej Southgate shtoi se Sllovenia do të luante shumë fort, pasi është ende në garë për vendin e dytë. “Ne e dinim se atyre u duhej fitorja dhe do të vinin me këtë synim. Ne e ndryshuam formacionin në fund për të provuar diçka tjetër dhe e shfrytëzuam atë”. Portieri Joe Hart u shfaq entuziast pas kualifikimit, por pranoi se ka vend për përmirësim. “Ne e dimë se duhet të jemi më të mirë, por ne jemi duke shkuar në Kupën e Botës dhe kjo është fantastike. Mendoj se ky ekip ka potencial, por kemi ende edhe shumë punë për të bërë”./EDS/