Spanjë-Angli: Në asnjë mënyrë, kapiteni i Anglisë nuk mund të pushojë

Harry Kane po vuan nga fakti që ka luajtur shumë ndeshje, por duhet të vazhdojë të luajë si titullar për Anglinë, sipas ish-mbrojtësit të “Tre Luanëve”, Gary Neville. Sulmuesi i Tottenham ka luajtuar 53 ndeshje zyrtare për klubin dhe kombëtaren gjatë sezonit të kaluar, dhe ishte kryesisht pa zëvendësues  te klubi i tij për shkak të ngurrimit të trajnerit Mauricio Pochettino, që të aktivizonte Fernando Llorente-n, ndërsa mungoi në vetëm një ndeshje të Botërorit.

“Ka pyetje për mënyrën se si lodhja do të ketë efekt te kombëtarja e Anglisë, sidomos Harry Kane. Do të ketë lojtarë, që mund të fillojnë të ndjehen jo aq të fortë e të përshtatshëm fizikisht, – tha ish-kapiteni i Manchester United për “Sky Sport”, përpara ndeshjes së Ligës së Kombeve të Anglisë kundër Spanjës, të shtunën. – “Nuk bëhet fjalë për një turne, por për akumulimin e forcave fizike, në një kohë që nuk ka periudhë pushimi. Personalisht e kam provuar këtë gjë në sezonin 2000-2001, në moshën 25-vjeçare. Kam patur probleme pasi kam luajtur në Euro 1996, Turne në 1997, Kupën e Botës 1998, tripletën e vitit 1999 dhe pastaj shkuam në një turne veror. Nuk ka dyshim se lojtarët kanë nevojë për një apo dy muaj pushim, por janë dëmtimet që zakonisht i lejojnë të pushojnë në mënyrë që trupi të rikuperohet”.

Megjithatë, ish-trajneri i Valencias nuk sheh të arsyeshme që Gareth Southgate ta lërë pushim Harry Kane në Ligën e Kombeve, duke shtuar: “Mendoj se Harry dhe lojtarët e tjerë, që luajnë javë për javë, madje edhe të shtunën e të mërkurën, edhe gjatë gjithë verës, duhet të vazhdojnë të sforcohen pasi niveli i tyre është ende mjaft i lartë për të luajtur. Pra, është shumë e vështirë për një trajner, që t’u japë atyre një pushim, sepse lojtarët duken të lodhur. Harry po luan në një nivel të lartë, ndoshta jo në kulmin e tij, por nuk ka asnjë mënyrë që të mund të pushojë kapiteni në një garë zyrtare. Historikisht, ka pasur raste, ku mund të bëheshin marrëveshje mes klubit dhe trajnerëve të kombëtareve për t’u marrë me lodhjen, sidomos kur ka pasur ndeshje miqësore rreth nëntorit, por thjesht nuk mendoj se lojtarët do të duan t’i humbasin këto ndeshje”.

Neville gjithashtu ka përmendur mungesën e alternativës në nivel ndërkombëtar si një faktor tjetër, veçanërisht pas largimit të Jamie Vardy-t nga Anglia. Ai e ndjen se shumë lojtarë të rinj anglezë nuk po aktivizohen në klubet e tyre. /EDS/

***********************

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota në kohë reale nga Futbolli dhe sportet e tjera.