SPECIALE / 10 kryeveprat e romanit të futbollit që u shkruan nga yjet

Ti mund ta lexosh kete ne 11 min.
10 Maj 2018 21:36

Futbolli është loja ku kërkohet impenjimi maksimal nga çdo lojtar dhe harmonia brenda ekipit për të garantuar rezultate dhe sukses. Fitorja e ose humbja kushtëzohet nga përgjegjësia kolektive e skuadrës. Megjithatë, kjo lojë nuk e përjashton asnjëherë shkëlqimin dhe veçimin e perfomancës së një futbollisti, i cili mund të bëjë diferencën nga 21 kolegët e tjerë. Këtij sporti nuk i mungojnë yjet dhe shumë herë ata janë në gjendje jo vetëm të shënojnë gola magjikë por dhe të përmbysin situatën disavantazhuese në favor të ekipit të tyre. Futbolli shpeshherë është detyruar të ndjekë dhe paraqitjen emocionuese të një lojtari të cilët arrijnë të tregojnë se në çfarë distance qëndrojnë nga të tjerët. “90min.com” sjell “10 perfomancat më frymëzuese individuale të shkruara në faqet e romanit të futbollit”

 

Cristiano Ronaldo, Suedi-Portguali 2-3, 19 nëntor 2013

Luzitanët dhe nordikët luanin shansin e fundit për të plotësuar listën me 32 ekipe që do të merrnin pjesë në Botërorin e vitit të ardhshëm në Brazil. Portugezi ka qenë në gjendje të shkëlqejë dhe të rrëmbeje vëmendjen e publikut me fanellën e Manchester United dhe Real Madridit. Por diferencat e mëdha që ka ekipi kombëtar portugez me skuadrat që kanë hegjemonizuar futbollin i kanë lënë shumë pak hapësirë kampionit të “Djajve të Kuq” dhe “Los Blancos” të përkthejë formën në rang klubi me ekipin përfaqësues. Por mbrëmjen e 19 nëntorit të 2013 ai kualifikoi i vetëm ekipin e tij përballë Suedisë së Zlatan Ibrahimovicit duke fituar dhe një duel personal me këtë të fundit. Pas fitores në Portugali 1-0, Ronaldo shënoi sërish në Stokholm golin e avantazhit por brenda pak minutash ai e pa veten në disavantazh kur Ibra iu kundërpërgjigj me dy gola; njëri me kokë dhe tjetrin me goditje dënimi. Kapiteni i portugezëve mori situatën nën kontroll duke shënuar dy gola të njëpasnjëshëm nga dy kundërsulme duke thyer mbrojtjen e pafuqishme suedeze. Tripleta e tij anuloi kualifikimin e suedezëve në Kupën e Botës së 2014.

Zinedine Zidane, Francë-Brazil 1-0, 1 korrik 2006

Një nga duelet më epike të historisë së futbollit botëror. “Gjelat” dhe “Seleҫao” mbërritën në çerekfinalen e Kupës së Botës në Gjermani me një grup lojtarësh me eksperiencë. Brazili vinte me statusin e kampionit të botës në fuqi dhe pritej që shumë lehtë ata do të mposhtnin Francën e plakur që kishte kaluar mes shumë peripecive për të siguruar çerekfinalen. Mesfushori brilant Zidane dëshmoi atë ditë se dinte të nënshtronte futbollin nën këmbët e tij kur gjatë gjithë 90 minutave çdo prekje e topit, çdo driblim, çdo aksion i nisur nga këmbët e tij ishte një ekzekutim perfekt ndaj rivalëve brazilianë. Ronaldo, Ronaldinho, Kaka, Roberto Carlos u detyruan të përuleshin përpara gjenialitetit të “mjeshtërit francez”. Njeriu që shënoi një nga golat më emblematikë në finalen e Ligës së Kampioneve përpara 4 vitesh në Glasgow dhuroi krosimin që u shpërblye me gol nga sulmuesi fantastik i Arsenalit Thierry Henry. 1-0 dhe Zidane regjistroi në këtë mënyrë një nga 3 performancat individuale më të mira në Kupat e Botës, edhe pse ishte 34-vjeç dhe iu afrua Botërorit të dytë në karrierë pasi u mohua nga provokimi i Marco Materazzit në finale me Italinë.

Ronaldinho: Real Madrid-Barcelona 0-3, 19 nëntor 2005

“Santiago Bernabeu” u bë dëshmitar i njërës prej humbjeve më famëkeqe ndaj rivalëve të përbetuar të Barcelonës në nëntor të 2005. Në një periudhë kaotike të “Galaktikëve” mesfushori magjik i Barcelonës Ronaldinho vërtetoi përse ishte më i miri në botë dhe garantoi vendin si njëri prej lojtarëve më spektakolarë në histori duke shënuar një dopietë në triumfin e pamëshirshëm 3-0 ndaj Real Madridit në stadiumin mitik të këtyre të fundit. Goli i tij i parë erdhi pas një driblimi të pandalshëm ndaj Sergio Ramosit, Ivan Helgueras dhe Michel Salgados duke lënë të pashpresë Iker Casillasin. Skenari i golit të dytë ishte në të njëjtin ritëm me të parin duke e kthyer në viktimë qendërmbrojtësin e ri Ramos. Tifozët vendas u detyruan të duartrokisnin magjinë verbuese të këmbëve të Ronaldinhos. Maradona Ronaldinho mbeten të vetmit lojtarë blaugrana që kanë fituar respektin e tifozëve kundështarë duke kapërcyer kufijtë e konfliktit të përjetshëm katalanas dhe kastiljan. Kjo peformancë konsiderohet si ndeshja që i dha goditjen e fundit epokës së trumpetuar nga Florentino Perez si “Los Galacticos”.

Ronaldo: Manchester United-Real Madrid 4-3, 23 prill 2003

Madrilenët ishin kthyer në epiqendrën e thithjes së yjeve më të mirë të kohës, si: Zidane, Figo, Roberto Carlos dhe i fundit i ardhur “Fenomeni”. Të fuqizuar nga ardhja e kampionit më të ri të botës në 2002 dhe me titullin e 9-të të Ligës së Kampioneve në historinë e klubit, ekipi mbretëror duhej të peshonte potencialin me një nga ekipet më të suksesshme në histori; “Djajtë e Kuq” të Alex Fergusonit.

Spanjollët vinin me një rezultat favorizues në “Old Trafford” pasi kishin mposhtur United në shtëpi 3-1. Tifozët e zjarrtë të kuq prisnin me padurim përmbysjen ndaj ekipit më të mirë të kohës. Por Ronaldo prishi të gjitha planet duke shënuar një tripletë madhështore duke i lënë të pashpresë lojtarët e Manchester United dhe skocezin Ferguson. Goli i parë dhe i dytë mbeten perla të paharruara edhe sot pas 15 vitesh. “Djajtë e Kuq” fituan pas një sërë përpjekjesh sakrifikuese me rezultatin 4-3, por që nuk u dha të drejtë të kualifikoheshin në gjysmëfinale. Në kulmin e shkëlqimit, “Fenomeni” u zëvendësua gjatë lojës duke marrë me vete topin, fitoren e çmuar dhe respektin e tifozëve kundërsharë që e përshëndetën me “standing ovation”.

Garrincha: Brazil-Angli 3-1, 10 qershor 1962

Pele dhe Ronaldo vlerësohen si lojtarët brazilianë më të mirë që kanë lënë gjurmë në historinë e pasur të futbollit, por në atdheun e “jogo bonito” (lojës së bukur) brazilianët adhurojnë Garrinchan dhe Romarion.

Mesfushori elektrizues i krahut te Botafogo ishte ylli i dytë pas Pelesë në ekipin kampion të botës në vitet ‘60. Garrincha mbetet ikona më e dashur e futbollit brazilian për popullarizimin e driblimit dhe argëtimin e pamasë që u dhuronte tifozëve në shkallët e stadiumit. Shumë e vlerësojnë si “magjistari që e ktheu lojën në cirk”.

Por në 1962 atij i erdhi mundësia e artë për të përhapur emrin e tij në mbarë botën. “As”-i Pele u dëmtua në ndeshjen e dytë të grupeve dhe u detyrua ta ndiqte turneun jashtë fushe. Garrincha nuk i la të pashpresë bashkatdhetarët duke treguar se Brazili e kishte ende një hero. Ai shpërtheu gjatë turneut duke shënuar, dribluar dhe asistuar në mbrojtjen e titullit botëror në finalen ndaj Çekosllovakisë. Por çerekfinalja ndaj Anglisë e ktheu “Algeria de Povo” (Lumturinë e Njerëzve) në një nga yjet më ta paharruar të futbollit. Garrincha nuk i la anglezët për asnjë çast të qetë duke sjellë panik dhe terror në mbrojtjen e tyre. Ai shënoi dy gola, ku i dyti mori nofkën “goditja bananes” stili i të cilit është popullarizuar shumë në këto 56 vitet e fundit.

Gazetarët anglezë u çoroditën nga lehtësia e driblimit dhe ekzekutimeve sensacionale të gjuajtjeve të lira të Garrinchas duke shkruar në gazeta:” Nga cili planet vjen Garrincha?” duke treguar se Mane e çoi futbollin në nivelet më të pamundshme që mund të imagjinonte njeriu.

Dietmar Hamann: Liverpool-Milan 3-3 (3-2 p.), 25 maj 2005

Ndeshja më drithëruese e Ligës Kampioneve. Milani ishte favorit i padiskutueshëm për të fituar trofeun e 7-të në histori. Për 45 minuta planet shkuan sipas parashikimeve kur Maldini dhe Crespo shënuan 3 gola që krijuan idenë se titulli i lakmuar do të shkonte në Milano.

Por pjesa e dytë pa ringjalljen e furishme të shpirtit të Liverpoolit. Steven Gerrard, Vladimir Smicer dhe Xabi Alonso mahnitën mbarë botën kur anuluan brenda 6 minutave rezultatin 3-0. Por një kthesë e tillë nuk do të ishte bërë e mundur nëse trajneri i “Të Kuqve” Rafa Benitez nuk do të aktivizonte në lojë mesfushorin me tipare mbrojtëse Dietmar Hamann. Gjermani do të mbante të bashkuar mbrojtjen e përҫarë të Liverpoolit duke i dhënë siguri Gerrardit dhe shokëve të tij të triumfonin në finalen më të çmendur të të gjitha kohërave. Një pjesë e mirë e meritave i shkoi padyshim dhe portierit Jerzy Dudek që i mohoi sulmuesit të talentuar ukrainas Andriy Shevchenkos golin vendimtar në kohën shtesë dhe penalltinë në “Ruletën ruse” duke u kthyer në simbolin e lavdisë më nostalgjike të ekipit anglez më të suksesshëm në Europë.

Lionel Messi: Barcelona-Arsenal 4-1, 6 prill 2010

Ndeshja e kthimit e fazës çerekfinale midis katalanasve dhe londinezëve u zhvillua në regjinë e plotë të “Pleshtit”. Arsenali kishte përmbysur rezultatin e takimit të parë 2-0 duke ardhur në “Camp Nou” me barazimin e rrezikshëm 2-2.

“Topçinjtë” shkaktuan panik te katalanasit kur sulmuesi danez Nicklas Bendtner kaloi Arsenalin në avantazh. Por sulmuesi që sapo kishte fituar Ligën e Kampioneve dhe “Topin e Artë” një vit më parë dhe ishte kthyer në shtyllën e Barcelonës bëri çdo gjë në perfeksion kur shënoi plot 4 gola duke mposhtur i vetëm një ekip të tërë. Messi shënoi golin e parë nga një goditje potente nga jashtë zone, kurse i dyti erdhi nga një parabël që çarmatosi mbrojtjen e Arsenalit.

Ai drejtoi shfaqjen i vetëm kur shënoi më tej golin e tretë dhe të katërtin duke i rezistuar mbrojtjes së pashpresë së Arsenalit duke e dërguar topin drejt rrjetës poshtë këmbëve të portierit të “Topҫinjve” Almunia.

Argjentinasi nuk ka humbur asnjë rreze të shkëlqimit të tij edhe sot pas asaj ndeshjeje epike. Ai u bë një tjetër lojtar që arrinte të shënonte 4 gola në një ndeshjeje duke iu bashkuar Marco Van Bastenit, Andriy Shevchenkos, Ruud van Nistelrooyt, Dado Prso-s dhe Simone Inzaghit.

Roy Keane: Juventus-Manchester United 2-3, 21 prill 1999

Një nga duelet që ngjallin krenari për të dyja palët. Bardhezinjtë dhe “Djajtë e Kuq” renditeshin në fund të shekullit të kaluar si dy skuadrat më në formë. Juventus me eksperiencën e fituar në 3 finalet radhazi nën drejtimin e Marcello Lippit vinte favorit në shtëpi pas barazimit 1-1 në “Old Trafford”.

Brenda pak minutave në “Delle Alpi” Filippo Inzaghi galoi dy herë në avantazh Juventusin duke iu afruar finales së 4-t radhazi.Por 21 prilli i 1999 do të ishte dita me fat për Roy Keane dhe lojtarët e tij.

Kapiteni luftarak tregoi karakter të vendosur duke mos dorëzuar për asnjë moment ndaj juventinëve duke i bllokuar në mesfushë dhe duke i shtyrë drejt prapavijës. Ai i shënoi golin e parë për Manchester United në Torino duke i dhënë frymëmarrje “Djajve të Kuq”. Ekipi i Fergusonit ushtroi presion maksimal duke kthyer ndeshjen në avantazhin e tyre 3-2. Kjo konsiderohet ndeshja më e mirë në karrierën e mesfushorit irlandez, i cili për shkak kartonash nuk do të udhëhiqte ekipin e tij në finalen e “Camp Nout” ku United do të prodhonte një tjetër përmbysje të pabesueshme ndaj Bayern Munichut.

Thierry Henry: Inter-Arsenal 1-5, 25 nëntor 2003

Sulmuesi frymëzues dhe shpirti i Arsenalit ka shënuar një lumë golash të pamundur duke lënë në ҫdo rast markën e tij. Por ndeshja e kthimit e fazës së grupeve në vitin 2003 ndaj Interit është regjistruar si një nga momentet e delirit të një ylli botëror. “Topçinjtë” masakruan pa mëshirë Interin në shtëpinë e tyre me shifrat 5-1, por nga ajo ndeshje mbetet e fiksuar në memorie dopieta dhe në veçanti goli i dytë i “snajperit” francez. Pasi shënoi golin e parë me një goditje raketë ai asistoi shokun e ekipit Freddie Ljunberg dhe më pas orkestroi një nga golat më të paharruar në historinë 63-vjeҫare të Ligës së Kampioneve. Henry mori topin nga mesfusha e Arsenalit dhe marshoi pa kthyer kokën pas drejt portës së Interit që mbrohej nga Toldo duke mposhtur në dyluftim kapitenin Javier Zanetti dhe goditi fuqishëm drejt shtyllës së dytë duke lënë të shtrirë në tapet Toldon. Francezi e kompletoi perfomancën me dy asiste ndaj Edusë dhe Robert Pires për të fiksuar një nga ndeshjet më të mira të periudhës së Arsene Wengerit.

Franco Baresi: Itali-Brazil 0-0 (2-3 p.), 17 korrik 1994

Legjenda dhe kapiteni i Milanit dhe Italisë kishte fituar gjithҫka në karrierë më fanellën e “Djallit” duke përfaqësuar një nga periudhat më të jetëgjata të dominimit të futbollit italian dhe europian. Por në kompeticionin e fundit ndërkombëtar që do të luante Baresi kërkonte të mbyllte karrierën me “azure”-ët me kurorën e kampionit. Ai i mungoi Italisë gjatë gjithë turneut duke dëmtuar meniskun në ndeshjen e dytë ndaj Norvegjisë, por pavarësisht paralajmërimeve të stafit mjekësor Baresi u ngrit në këmbë për të mos humbur finalen ndaj Brazilit. Milanisti u kthye në një mburojë të sigurt për italianët duke markuar në çdo hap sulmuesi e rrezikshëm Romario. Italianët duhej të bënin llogaritë bashkë me mungesat e Alessandro Costacurtas dhe mbrotjësit të djathtë Mauro Tassotti. Por perfomanca e jashtëzakonshme ndaj “Seleҫaos” u kthye në dëshpërim për italianët dhe Baresin pasi nga pika e bardhë e penalltive ai, Daniele Massaro dhe Roberto Baggio gabuan shënjestër duke i hapur rrugën Brazilit drejt titullit të parë botëror pas 24 vitesh. Idhulli i milanistëve la kompeticionin i zhytur në lot duke lënë pas një karrierë të pashpërblyer me fanellën e kaltër./EDS/

Vllaznia ra, ish-trajneri është racional dhe ka një dëshirë

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
24 Maj 2018 00:13

Vllaznia bëri gjithçka për të siguruar qëndrimin në Kategorinë Superiore, por në fund nuk ia doli, edhe pse në Korçë u treguan shumë bujarë. Pavarësisht dashamirësisë nga korçarët që sot kishin festën e titullit, fitorja nuk u bëri punë kuqebluve që ranë në Kategorinë e Parë, pas suksesit të Kamzës minimalisht ndaj Partizanit. Duket e çuditshme, por në vitin që Vllaznia mbush një shekull, do të luajë në një kategori inferiore, diçka që në fakt e meritoi plotësisht këtë sezon. Klubi ka patur një buxhet prej 1.2 milardësh lekësh të vjetra, më shumë se Skënderbeu kampion dhe në fund zbret një kategori më poshtë. Ish-trajneri i Vllaznisë, Roland Luçi dhe futbollisti i Kombëtares nëpërmjet një statusi në rrjetin social në “Facebook”, tregohet racional dhe e pranon dështimin. Ai gjithashtu ndalet edhe tek e ardhmja, ndërsa kërkon një rikthim dinjitoz në sallonin e madh të futbollit shqiptar.

“Nuk e ka fajin Partizani, pavarësisht se mund të ketë mëkatuar sot ndaj Kamzës. Ashtu si mëkatoi edhe Skënderbeu e Kukësi në përballjet komike ndaj Vllaznisë. Nuk mund të mobilizohen të gjithë klubet shqiptare, që të mos bjerë nga kategoria Vllaznia! Aq më tepër në një ritual të përvitshëm. E meritonte të binte, si gjithë vitet e fundit dhe nuk u nxorën që nuk u nxorën mesime, gjithçka përsëritej identikisht sezonin pasardhës. Sot rënia në nivelin e dorës së dytë të futbollit është realitet. Jam kurioz të shoh reagimet e strukturave përgjegjëse në funksion të një ringjitjeje dinjitoze”, shkruan ish-trajneri i Vllaznisë, Roland Luçi. /EDS/


***********************************
Ndalohet ribotimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.
Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Në eduasportin.com do gjeni Parashikime Ndeshjesh për Kampionatet Kryesore, Rezultate Live dhe Statistika Futbolli.

Abazaj zbulon çfarë e shiti te Anderlecht dhe pengun me Luftëtarin

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
23 Maj 2018 23:53
Ja deklarata e tij

Kristal Abazaj, padiskutim është një ndër lojtarët më të mirë të Kategorisë Superiore dhe ndoshta më i miri për këtë edicion të sapombyllur. Ai u shpall edhe talenti i sezonit dy ditë më parë për performancat e tij me bluzinjtë në këtë sezon. Mesfushori i krahut që nga edicioni i ri do të luajë në Europa League me fanellën e Anderlecht zbuloi në "RTSH", se goli me Partizanin u mbushi mendjen belgëve për ta blerë, teksa shtoi si i vjen keq, që nuk do të jetë pjesë e bluzinjve në Evropë.

Patët një moment jo të mirë sot në Lushnjë?

Po, sot rrezikova shumë. Pata një ndërhyrje jo normale, por mbeti aty dhe e harruam. Falë Zotit, ia hodhëm paq.

Jeni i kënaqur nga ky sezon?

Shpresoj t’i kem marrë të gjitha nga ky sezon. E mira do ishte ta çoja deri në fund me Luftëtarin, por do vazhdojmë diku tjetër.

E nisët keq, por e mbyllët të tretët. E kishit menduar ndonjëherë?

Ky është një sezon më i mirë se vjet. Nuk e kishim menduar që nga fillimi, që do ishim në Europë. Fazën e parë kishim 5 pikë në 9 ndeshje, ishim më të rrezikuarit të binim, bashkë me Lushnjën. Me ndërrimin e trajnerit, morëm një hov tjetër.

Merkato e janarit ndikoi?

Lojtarët e Luftëtarit kanë qenë aty, por edhe disa të rinj sollën një frymë të re.

Flitet shumë për Bregun dhe Abazajn, por ka edhe të tjerë…

E ka treguar dhe fusha, që është Rroca, një nga lojtarët më të mirë në kampionat. Ndoshta edhe më i mirë se unë dhe Bregu, por dëmtimet nuk e kanë lënë. Ne kemi marrë meritat, por ai ka dhënë asistet. Ne funksionojmë si miq, si vëllezër. Kjo ka qenë arma jonë më e fortë.

Guri u shit për golin e shënuar ndaj Skënderbeut, po ju e dini për çfarë goli u shitët?

Po, më kanë thënë për golin që kam shënuar ndaj Partizanit.

Rënia e Vllaznisë, opinioni juaj?

Vllaznia ka shumë lojtarë të mirë dhe as vetë nuk e kuptova sesi ra nga kategoria. Përgëzime për Kamzën, që ka bërë një sezon mjaft të mirë. /EDS/


***********************************
Ndalohet ribotimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.
Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Në eduasportin.com do gjeni Parashikime Ndeshjesh për Kampionatet Kryesore, Rezultate Live dhe Statistika Futbolli.

Foto/ Njihuni me stadiumet më të vegjël në botë

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
23 Maj 2018 23:36

Për shumë njerëz është një tempull. Për disa të tjerë një muze i hapur. Po flasim për stadiumin, që vepron si një skenë për ndeshjet në shtëpi të ekipeve të futbollit të qytetit tonë ose vendit tonë.

Ka vend për të gjithë. Në qytet ose periferi, në pronësi të klubit apo bashkisë, me pistë atletike ose jo.

Në këtë udhëtim për të zbuluar stadiumet më të çuditshme dhe të veçanta të botës, ne kemi zgjedhur stadiumet më të vogla në Evropë, nga  6 vendet e para në renditjen UEFA-s dhe në fund kemi përcaktuar atë që është zyrtarisht stadiumi më i vogël në Evropë. /EDS/

1) Spanjë: 3 stadiumet më të vegjël ku zhvillohen ndeshjet zyrtare të La Liga janë:

Stadio municipale di Ipurùa – Eibar (6,267 spektatorë)

Campo de Futbol de Vallecas – Rayo Vallecano (14.708 spektatorë)

Estadio Coliseum Alfonso Perez – Getafe (17.700 spektatorë)

 

2) Gjermani: 3 stadiumet më të vegjël ku zhvillohen ndeshjet zyrtare të Bundesliga janë:

Audi-Sportpark - Fußballclub Ingolstadt 04 (15,800 spektatorë)

Stadion am Böllenfalltor – Darmstadt (17.000 spektatorë)

Mage Solar Stadion – Friburgo (25.000 spektatorë)

 

3) Angli: 3 stadiumet më të vegjël ku zhvillohen ndeshjet zyrtare të Premier League janë:

Dean Court - AFC Bournemouth (11.464 spektatorë)

Vicarage Road – Watford (20.877 spektatorë)

Liberty Stadium – Swansea (21.088 spektatorë)

 

 

4) Itali: 3 stadiumet më të vegjël ku zhvillohen ndeshjet zyrtare të Serie A janë:

Stadio Sant'Elia - Cagliari (16,074 spektatorë)

Stadio Carlo Castellani – Empoli (16.284 spektatorë)

Stadio Ezio Scida – Crotone (16.640 spektatorë)

 

 

5) Francë: 3 stadiumet më të vegjël ku zhvillohen ndeshjet zyrtare te Ligue 1 janë:

Stade Gaston-Gérard - Dijon (15,000 spektatorë)

Stade Armand Cesari – Bastia (16.480 spektatorë)

Stade Jean Bouin – Angers (17.100 spektatorë)

 

6) Rusi: 3 stadiumet më të vegjël ku zhvillohen ndeshjet zyrtare të Prem'er-Liga janë:

Dinamo Stadion - Ufa (4,500 spektatorë)

Gazovik Stadium – FC Gazovik (7.500 spektatorë)

Trud Stadium – FC Tom’ Tomsk (10.028 spektatorë)

 

Si përfundim stadiumi më i vogël në Evropë është Dinamo Stadion i ekipit të Ufa (Rusi), me 4500 spektatorë.

 

***********************************

Ndalohet ribotimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Në eduasportin.com do gjeni Parashikime Ndeshjesh për Kampionatet Kryesore, Rezultate Live dhe Statistika Futbolli.

Gavazaj i sinqertë: Jam në bisedime me një klub...

Ti mund ta lexosh kete ne 1 min.
23 Maj 2018 23:34
E mbyll si kampion

Enis Gavazaj shfaqet i lumtur me suksesin e arritur në këtë sezon me Skënderbeun, teksa titulli kampion mund të konsiderohet si qershia mbi tortë pas një sezoni të dominuar nga bardhekuqtë. Mesfushori me tipare sulmues është një ndër lojtarët e krahut më të mirë në Kategorinë Superiore, teksa në miqësoren me Norvegjinë u thirr edhe nga trajneri Christian Panuchi. Prizrenasi pas një sezoni mjaft të mirë shpreson që edicionin e ardhshëm të luajë në një kampionat të fortë dhe beson se gjithçka është në rrugën e duhur.

Një sezon i mirë që kulmoi me festën nga Kombëtarja – “Po e vërtetë. Jemi shumë të lumtur për këtë titull të fituar, pasi e merituam totalisht. Edhe në aspektin personal kam qenë i kënaqur për atë që kam dhënë dhe për më tepër, për thirrjen në përfaqësuese”.

Performanca në Europa League – “Kemi bërë eliminatore mjaft të mira dhe më pas në grupe, ku për fat të keq personalisht pësova edhe një dëmtim, por u riktheva shpejt për të ndihmuar skuadrën në kampionat. Mendoj se kemi qenë një grup fantastik, që meriton gjithçka për atë që ka dhënë në fushë”.

E ardhmja – “Po punojmë për një transferim jashtë Shqipërisë, që është edhe synimi im. Besoj se brenda dy javëve do të kemi të reja, pasi do të konkretizojmë diçka”, zbuloi Gavazaj. /EDS/


***********************************
Ndalohet ribotimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.
Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Në eduasportin.com do gjeni Parashikime Ndeshjesh për Kampionatet Kryesore, Rezultate Live dhe Statistika Futbolli.