SPECIALE / 10 kryeveprat e romanit të futbollit që u shkruan nga yjet

Futbolli është loja ku kërkohet impenjimi maksimal nga çdo lojtar dhe harmonia brenda ekipit për të garantuar rezultate dhe sukses. Fitorja e ose humbja kushtëzohet nga përgjegjësia kolektive e skuadrës. Megjithatë, kjo lojë nuk e përjashton asnjëherë shkëlqimin dhe veçimin e perfomancës së një futbollisti, i cili mund të bëjë diferencën nga 21 kolegët e tjerë. Këtij sporti nuk i mungojnë yjet dhe shumë herë ata janë në gjendje jo vetëm të shënojnë gola magjikë por dhe të përmbysin situatën disavantazhuese në favor të ekipit të tyre. Futbolli shpeshherë është detyruar të ndjekë dhe paraqitjen emocionuese të një lojtari të cilët arrijnë të tregojnë se në çfarë distance qëndrojnë nga të tjerët. “90min.com” sjell “10 perfomancat më frymëzuese individuale të shkruara në faqet e romanit të futbollit”

 

Cristiano Ronaldo, Suedi-Portguali 2-3, 19 nëntor 2013

Luzitanët dhe nordikët luanin shansin e fundit për të plotësuar listën me 32 ekipe që do të merrnin pjesë në Botërorin e vitit të ardhshëm në Brazil. Portugezi ka qenë në gjendje të shkëlqejë dhe të rrëmbeje vëmendjen e publikut me fanellën e Manchester United dhe Real Madridit. Por diferencat e mëdha që ka ekipi kombëtar portugez me skuadrat që kanë hegjemonizuar futbollin i kanë lënë shumë pak hapësirë kampionit të “Djajve të Kuq” dhe “Los Blancos” të përkthejë formën në rang klubi me ekipin përfaqësues. Por mbrëmjen e 19 nëntorit të 2013 ai kualifikoi i vetëm ekipin e tij përballë Suedisë së Zlatan Ibrahimovicit duke fituar dhe një duel personal me këtë të fundit. Pas fitores në Portugali 1-0, Ronaldo shënoi sërish në Stokholm golin e avantazhit por brenda pak minutash ai e pa veten në disavantazh kur Ibra iu kundërpërgjigj me dy gola; njëri me kokë dhe tjetrin me goditje dënimi. Kapiteni i portugezëve mori situatën nën kontroll duke shënuar dy gola të njëpasnjëshëm nga dy kundërsulme duke thyer mbrojtjen e pafuqishme suedeze. Tripleta e tij anuloi kualifikimin e suedezëve në Kupën e Botës së 2014.

Zinedine Zidane, Francë-Brazil 1-0, 1 korrik 2006

Një nga duelet më epike të historisë së futbollit botëror. “Gjelat” dhe “Seleҫao” mbërritën në çerekfinalen e Kupës së Botës në Gjermani me një grup lojtarësh me eksperiencë. Brazili vinte me statusin e kampionit të botës në fuqi dhe pritej që shumë lehtë ata do të mposhtnin Francën e plakur që kishte kaluar mes shumë peripecive për të siguruar çerekfinalen. Mesfushori brilant Zidane dëshmoi atë ditë se dinte të nënshtronte futbollin nën këmbët e tij kur gjatë gjithë 90 minutave çdo prekje e topit, çdo driblim, çdo aksion i nisur nga këmbët e tij ishte një ekzekutim perfekt ndaj rivalëve brazilianë. Ronaldo, Ronaldinho, Kaka, Roberto Carlos u detyruan të përuleshin përpara gjenialitetit të “mjeshtërit francez”. Njeriu që shënoi një nga golat më emblematikë në finalen e Ligës së Kampioneve përpara 4 vitesh në Glasgow dhuroi krosimin që u shpërblye me gol nga sulmuesi fantastik i Arsenalit Thierry Henry. 1-0 dhe Zidane regjistroi në këtë mënyrë një nga 3 performancat individuale më të mira në Kupat e Botës, edhe pse ishte 34-vjeç dhe iu afrua Botërorit të dytë në karrierë pasi u mohua nga provokimi i Marco Materazzit në finale me Italinë.

Ronaldinho: Real Madrid-Barcelona 0-3, 19 nëntor 2005

“Santiago Bernabeu” u bë dëshmitar i njërës prej humbjeve më famëkeqe ndaj rivalëve të përbetuar të Barcelonës në nëntor të 2005. Në një periudhë kaotike të “Galaktikëve” mesfushori magjik i Barcelonës Ronaldinho vërtetoi përse ishte më i miri në botë dhe garantoi vendin si njëri prej lojtarëve më spektakolarë në histori duke shënuar një dopietë në triumfin e pamëshirshëm 3-0 ndaj Real Madridit në stadiumin mitik të këtyre të fundit. Goli i tij i parë erdhi pas një driblimi të pandalshëm ndaj Sergio Ramosit, Ivan Helgueras dhe Michel Salgados duke lënë të pashpresë Iker Casillasin. Skenari i golit të dytë ishte në të njëjtin ritëm me të parin duke e kthyer në viktimë qendërmbrojtësin e ri Ramos. Tifozët vendas u detyruan të duartrokisnin magjinë verbuese të këmbëve të Ronaldinhos. Maradona Ronaldinho mbeten të vetmit lojtarë blaugrana që kanë fituar respektin e tifozëve kundështarë duke kapërcyer kufijtë e konfliktit të përjetshëm katalanas dhe kastiljan. Kjo peformancë konsiderohet si ndeshja që i dha goditjen e fundit epokës së trumpetuar nga Florentino Perez si “Los Galacticos”.

Ronaldo: Manchester United-Real Madrid 4-3, 23 prill 2003

Madrilenët ishin kthyer në epiqendrën e thithjes së yjeve më të mirë të kohës, si: Zidane, Figo, Roberto Carlos dhe i fundit i ardhur “Fenomeni”. Të fuqizuar nga ardhja e kampionit më të ri të botës në 2002 dhe me titullin e 9-të të Ligës së Kampioneve në historinë e klubit, ekipi mbretëror duhej të peshonte potencialin me një nga ekipet më të suksesshme në histori; “Djajtë e Kuq” të Alex Fergusonit.

Spanjollët vinin me një rezultat favorizues në “Old Trafford” pasi kishin mposhtur United në shtëpi 3-1. Tifozët e zjarrtë të kuq prisnin me padurim përmbysjen ndaj ekipit më të mirë të kohës. Por Ronaldo prishi të gjitha planet duke shënuar një tripletë madhështore duke i lënë të pashpresë lojtarët e Manchester United dhe skocezin Ferguson. Goli i parë dhe i dytë mbeten perla të paharruara edhe sot pas 15 vitesh. “Djajtë e Kuq” fituan pas një sërë përpjekjesh sakrifikuese me rezultatin 4-3, por që nuk u dha të drejtë të kualifikoheshin në gjysmëfinale. Në kulmin e shkëlqimit, “Fenomeni” u zëvendësua gjatë lojës duke marrë me vete topin, fitoren e çmuar dhe respektin e tifozëve kundërsharë që e përshëndetën me “standing ovation”.

Garrincha: Brazil-Angli 3-1, 10 qershor 1962

Pele dhe Ronaldo vlerësohen si lojtarët brazilianë më të mirë që kanë lënë gjurmë në historinë e pasur të futbollit, por në atdheun e “jogo bonito” (lojës së bukur) brazilianët adhurojnë Garrinchan dhe Romarion.

Mesfushori elektrizues i krahut te Botafogo ishte ylli i dytë pas Pelesë në ekipin kampion të botës në vitet ‘60. Garrincha mbetet ikona më e dashur e futbollit brazilian për popullarizimin e driblimit dhe argëtimin e pamasë që u dhuronte tifozëve në shkallët e stadiumit. Shumë e vlerësojnë si “magjistari që e ktheu lojën në cirk”.

Por në 1962 atij i erdhi mundësia e artë për të përhapur emrin e tij në mbarë botën. “As”-i Pele u dëmtua në ndeshjen e dytë të grupeve dhe u detyrua ta ndiqte turneun jashtë fushe. Garrincha nuk i la të pashpresë bashkatdhetarët duke treguar se Brazili e kishte ende një hero. Ai shpërtheu gjatë turneut duke shënuar, dribluar dhe asistuar në mbrojtjen e titullit botëror në finalen ndaj Çekosllovakisë. Por çerekfinalja ndaj Anglisë e ktheu “Algeria de Povo” (Lumturinë e Njerëzve) në një nga yjet më ta paharruar të futbollit. Garrincha nuk i la anglezët për asnjë çast të qetë duke sjellë panik dhe terror në mbrojtjen e tyre. Ai shënoi dy gola, ku i dyti mori nofkën “goditja bananes” stili i të cilit është popullarizuar shumë në këto 56 vitet e fundit.

Gazetarët anglezë u çoroditën nga lehtësia e driblimit dhe ekzekutimeve sensacionale të gjuajtjeve të lira të Garrinchas duke shkruar në gazeta:” Nga cili planet vjen Garrincha?” duke treguar se Mane e çoi futbollin në nivelet më të pamundshme që mund të imagjinonte njeriu.

Dietmar Hamann: Liverpool-Milan 3-3 (3-2 p.), 25 maj 2005

Ndeshja më drithëruese e Ligës Kampioneve. Milani ishte favorit i padiskutueshëm për të fituar trofeun e 7-të në histori. Për 45 minuta planet shkuan sipas parashikimeve kur Maldini dhe Crespo shënuan 3 gola që krijuan idenë se titulli i lakmuar do të shkonte në Milano.

Por pjesa e dytë pa ringjalljen e furishme të shpirtit të Liverpoolit. Steven Gerrard, Vladimir Smicer dhe Xabi Alonso mahnitën mbarë botën kur anuluan brenda 6 minutave rezultatin 3-0. Por një kthesë e tillë nuk do të ishte bërë e mundur nëse trajneri i “Të Kuqve” Rafa Benitez nuk do të aktivizonte në lojë mesfushorin me tipare mbrojtëse Dietmar Hamann. Gjermani do të mbante të bashkuar mbrojtjen e përҫarë të Liverpoolit duke i dhënë siguri Gerrardit dhe shokëve të tij të triumfonin në finalen më të çmendur të të gjitha kohërave. Një pjesë e mirë e meritave i shkoi padyshim dhe portierit Jerzy Dudek që i mohoi sulmuesit të talentuar ukrainas Andriy Shevchenkos golin vendimtar në kohën shtesë dhe penalltinë në “Ruletën ruse” duke u kthyer në simbolin e lavdisë më nostalgjike të ekipit anglez më të suksesshëm në Europë.

Lionel Messi: Barcelona-Arsenal 4-1, 6 prill 2010

Ndeshja e kthimit e fazës çerekfinale midis katalanasve dhe londinezëve u zhvillua në regjinë e plotë të “Pleshtit”. Arsenali kishte përmbysur rezultatin e takimit të parë 2-0 duke ardhur në “Camp Nou” me barazimin e rrezikshëm 2-2.

“Topçinjtë” shkaktuan panik te katalanasit kur sulmuesi danez Nicklas Bendtner kaloi Arsenalin në avantazh. Por sulmuesi që sapo kishte fituar Ligën e Kampioneve dhe “Topin e Artë” një vit më parë dhe ishte kthyer në shtyllën e Barcelonës bëri çdo gjë në perfeksion kur shënoi plot 4 gola duke mposhtur i vetëm një ekip të tërë. Messi shënoi golin e parë nga një goditje potente nga jashtë zone, kurse i dyti erdhi nga një parabël që çarmatosi mbrojtjen e Arsenalit.

Ai drejtoi shfaqjen i vetëm kur shënoi më tej golin e tretë dhe të katërtin duke i rezistuar mbrojtjes së pashpresë së Arsenalit duke e dërguar topin drejt rrjetës poshtë këmbëve të portierit të “Topҫinjve” Almunia.

Argjentinasi nuk ka humbur asnjë rreze të shkëlqimit të tij edhe sot pas asaj ndeshjeje epike. Ai u bë një tjetër lojtar që arrinte të shënonte 4 gola në një ndeshjeje duke iu bashkuar Marco Van Bastenit, Andriy Shevchenkos, Ruud van Nistelrooyt, Dado Prso-s dhe Simone Inzaghit.

Roy Keane: Juventus-Manchester United 2-3, 21 prill 1999

Një nga duelet që ngjallin krenari për të dyja palët. Bardhezinjtë dhe “Djajtë e Kuq” renditeshin në fund të shekullit të kaluar si dy skuadrat më në formë. Juventus me eksperiencën e fituar në 3 finalet radhazi nën drejtimin e Marcello Lippit vinte favorit në shtëpi pas barazimit 1-1 në “Old Trafford”.

Brenda pak minutave në “Delle Alpi” Filippo Inzaghi galoi dy herë në avantazh Juventusin duke iu afruar finales së 4-t radhazi.Por 21 prilli i 1999 do të ishte dita me fat për Roy Keane dhe lojtarët e tij.

Kapiteni luftarak tregoi karakter të vendosur duke mos dorëzuar për asnjë moment ndaj juventinëve duke i bllokuar në mesfushë dhe duke i shtyrë drejt prapavijës. Ai i shënoi golin e parë për Manchester United në Torino duke i dhënë frymëmarrje “Djajve të Kuq”. Ekipi i Fergusonit ushtroi presion maksimal duke kthyer ndeshjen në avantazhin e tyre 3-2. Kjo konsiderohet ndeshja më e mirë në karrierën e mesfushorit irlandez, i cili për shkak kartonash nuk do të udhëhiqte ekipin e tij në finalen e “Camp Nout” ku United do të prodhonte një tjetër përmbysje të pabesueshme ndaj Bayern Munichut.

Thierry Henry: Inter-Arsenal 1-5, 25 nëntor 2003

Sulmuesi frymëzues dhe shpirti i Arsenalit ka shënuar një lumë golash të pamundur duke lënë në ҫdo rast markën e tij. Por ndeshja e kthimit e fazës së grupeve në vitin 2003 ndaj Interit është regjistruar si një nga momentet e delirit të një ylli botëror. “Topçinjtë” masakruan pa mëshirë Interin në shtëpinë e tyre me shifrat 5-1, por nga ajo ndeshje mbetet e fiksuar në memorie dopieta dhe në veçanti goli i dytë i “snajperit” francez. Pasi shënoi golin e parë me një goditje raketë ai asistoi shokun e ekipit Freddie Ljunberg dhe më pas orkestroi një nga golat më të paharruar në historinë 63-vjeҫare të Ligës së Kampioneve. Henry mori topin nga mesfusha e Arsenalit dhe marshoi pa kthyer kokën pas drejt portës së Interit që mbrohej nga Toldo duke mposhtur në dyluftim kapitenin Javier Zanetti dhe goditi fuqishëm drejt shtyllës së dytë duke lënë të shtrirë në tapet Toldon. Francezi e kompletoi perfomancën me dy asiste ndaj Edusë dhe Robert Pires për të fiksuar një nga ndeshjet më të mira të periudhës së Arsene Wengerit.

Franco Baresi: Itali-Brazil 0-0 (2-3 p.), 17 korrik 1994

Legjenda dhe kapiteni i Milanit dhe Italisë kishte fituar gjithҫka në karrierë më fanellën e “Djallit” duke përfaqësuar një nga periudhat më të jetëgjata të dominimit të futbollit italian dhe europian. Por në kompeticionin e fundit ndërkombëtar që do të luante Baresi kërkonte të mbyllte karrierën me “azure”-ët me kurorën e kampionit. Ai i mungoi Italisë gjatë gjithë turneut duke dëmtuar meniskun në ndeshjen e dytë ndaj Norvegjisë, por pavarësisht paralajmërimeve të stafit mjekësor Baresi u ngrit në këmbë për të mos humbur finalen ndaj Brazilit. Milanisti u kthye në një mburojë të sigurt për italianët duke markuar në çdo hap sulmuesi e rrezikshëm Romario. Italianët duhej të bënin llogaritë bashkë me mungesat e Alessandro Costacurtas dhe mbrotjësit të djathtë Mauro Tassotti. Por perfomanca e jashtëzakonshme ndaj “Seleҫaos” u kthye në dëshpërim për italianët dhe Baresin pasi nga pika e bardhë e penalltive ai, Daniele Massaro dhe Roberto Baggio gabuan shënjestër duke i hapur rrugën Brazilit drejt titullit të parë botëror pas 24 vitesh. Idhulli i milanistëve la kompeticionin i zhytur në lot duke lënë pas një karrierë të pashpërblyer me fanellën e kaltër./EDS/

ulaş utku bozdoğan
ulaş utku bozdoğan astrolog
ulaş utku bozdoğan