SPECIALE / Deçiqi, ekipi shqiptar që urren gjithçka shqiptare

Ti mund ta lexosh kete ne 3 min.
15 Dhjetor 2017 16:35
KF Deçiq është formuar në vitin 1926 dhe mban emrin e malit Deçiq. Ky mal është mjaft simbolik për shqiptarët, pasi Ded Gjo Luli me kryengritësit e Malësisë ngritën flamurin shqiptar për herë të parë pas Skënderbeut.

Shqipërinë ta kishin goditur edhe me çifte nuk do ishte kaq shumë e copëtuar. Trojet tona janë të ndara në Maqedoni, Greqi, Serbi dhe Mal të Zi. Plaga jonë më e madhe, asimilimi, ka filluar të ndjehet.

Shqiptarët po asimilohen dhe duket shumë e vështirë të gjesh grimca të historisë tonë në troje të caktuara.

Futbolli nuk bën përjashtim nga kjo plagë. Në Mal të Zi ekziston një ekip shqiptarësh të asimiluar, që përfaqëson një komunë shqiptare, por nuk pranon asgjë nga vendi i origjinës, për të mos thënë se ndjek politika anti-shqiptare.

Nuk jemi utopikë, nuk flasim në ajër, por po tregojmë për ekipin e Deçiqit. Ekipi që përfaqëson Tuzin në Mal të Zi. Një skuadër shqiptarësh, por që duket e asimiluar dhe nuk ka asnjë lidhje me historinë e saj. Metamorfoza që ka përjetuar ky klub rrugës është e llahtarshme, pasi nga krijimi deri në ditët që flasim kauzat janë krejt të tjera.

Vëmendja është kthyer nga klubi i Deçiqit, pasi sezonin e ardhshëm do të jetë përfaqësuesi i komunës shqiptare të Tuzit. Nisur nga kjo, tifozët e Tuzit duan ta kthejnë ekipin në origjinë dhe t’i japin ngjyrat që i takojnë.

DEÇIQI - KF Deçiq është formuar në vitin 1926 dhe mban emrin e malit Deçiq. Ky mal është mjaft simbolik për shqiptarët, pasi Ded Gjo Luli me kryengritësit e Malësisë ngritën flamurin shqiptar për herë të parë pas Skënderbeut.

Rrugëtimi i klubit nisi nga kjo histori, ndërsa sot gjërat janë krejtësisht ndryshe. Klubi drejtohet nga disa shqiptarë të asimiluar që nuk janë aspak të ndjeshëm për shqiptarët, madje ndjekin politika mohuese ndaj kombësisë shqiptare. Tahir Dresheviq (Dreshaj) është presidenti i ekipit.

Momentalisht ekipi ndodhet në vendin e parafundit dhe me shumë gjasa do të bjerë nga kategoria. Vitin e kaluar përfundoi në vendin e 5-të.

Në skuadër janë vetëm 3 shqiptarë titullarë. Fjala është për Ilir Camajn (kapiteni), Kristian Vulaj dhe Leon Ujkaj.    

TIFOZËT - Grupi i tifozëve të këtij klubi janë shqiptarë të asimiluar në boshnjakë. Tifo-grupi i tyre quhet “Askeri”. Ata urrejnë gjithçka shqiptare. Tifozët e ekipit të Deçiqit janë radikalë. Fjala shqiptar për to sjell alergji, ama rrota e historisë sillet dhe klubi do të përfundojë sërish në duart e krijuesve të tij.

KOMUNA E TUZIT – Ironikisht, ekipi i Deçiqit do të udhëhiqet sërish nga shqiptarët. Tuzi ka qenë pjesë e komunës së Podgoricës, por nga viti 2018 do të dalë në komunë me vete. Kjo sjell edhe kalimin e skuadrës së Deçiqit nga përfaqësimi i qytetit të Podgoricës në atë të Tuzit. Me shumë mundësi, klubi do të jetë në pronësi 100% të Komunës së Tuzit. Rezultatet e dobëta të skuadrës lidhen edhe me pritshmëritë për vitin e ardhshëm që Deçiqi do të kalojë në dorë të shqiptarëve.

RIKTHIMI NË IDENTITET – Tifozët shqiptarë të Deçiqit kanë ngritur shqetësimin për kalimin e klubit në dorë të shqiptarëve. Ata duan që klubi të rikthehet me rrënjë shqiptare dhe të ketë një përfaqësim të tillë. Forume të ndryshme shqiptarë në rrjetet sociale kanë mbledhur forcat për të “rimëkëmbur” ekipin e tyre të Deçiqit, por diçka e tillë duket mjaft e vështirë, pasi klubi i sotëm nuk ka asnjë lidhje me ekipin e parë të shqiptarëve.

Një klub shqiptar që urren shqiptarët, eh medet! /EDS/

Kaçi ndalet te më e bukura, spikat edhe Zaja

Ti mund ta lexosh kete ne 1 min.
14 Prill 2018 16:09
Mbyllet Euroturi i bilardos në Austri

Eklent Kaçi fitoi euroturin në Itali për herë të parë dhe sërish paraqitjet e bilardistit kurbinas janë në nivele të larta. Këtë herë ai ka garuar në euroturin e Austrisë, ndërkohë që veç tij, morën pjesë edhe dy sportistë të tjerë shqiptarë, Arjan Matrizi dhe Edmond Zaja. I pari nuk arriti të regjistronte ndonjë rezultat fort të mirë, kurse laçiani Zaja u rendit i 17-ti. Ai mundi në raundet e para dy bilardistë grek, ndër ta edhe Kazakis, që u përball me Kaçin në gjysmëfinale. Më tej kaloi numrin një në renditjen e përgjithshëm të Eurotureve, austriakun Albin Jr Ouschan. Zaja u ndal në 32 më të mirët, kur u mund nga Abdullah Alshammari me rezultatin 9-8.

Rrugëtimi i Kaçit nuk ishte i lehtë, pasi pati përballë emra si Ortmann dhe Feijen, fitues titujsh botërorë dhe europianë, por me të dy ia doli të fitonte. Në çerekfinale vuajti me  të riun gjerman Joshua Filler, të cilit ia ktheu ndeshjen në 7-9, duke shkuar në gjysmëfinale. Aty u ndal bilardisti shqiptar, që u mund nga greku Kazakis me rezultatin 9-5, duke u renditur kështu i treti në Euroturin e Austrisë, një rezultat i mir% duhet thënë, edhe pse synimi ishte të triumfonte. /EDS/

JOHANN IM PONGAU - AUSTRIA OPEN 2018

WINNERS ROUND 1
Edmond Zaja -Panagiotis Xypoliteas(Greqi)9-4  
Piotr Ostrowski (Poloni)-Eklent Kaçi 2-9

WINNERS ROUND 2
Edmond Zaja-Alexander Kazaki (Greqi) 9-6
Marek Hajdovsky (Çeki)-Eklent Kaçi 8-9

WINNERS QUALIFICATION
Albin Jr Ouschan (Austri)- Edmond Zaja 8-9
Oliver Ortmann (Gjermani)- Eklent Kaçi 2-9

LAST 32
Edmond Zaja-Abdullah Alshammari (Arabi Saudite) 8-9
Abdullah Al-Enezi (Kuvajt)-Eklent Kaçi 1-9

LAST 16
Niels Feijen (Holandë)-Eklent Kaçi 8-9

QURTER FINALS
Joshua Filler (Gjermani)-Eklent Kaçi 7-9

SEMI FINALS
Alexander Kazakis (Greqi)-Eklent Kaçi 9-5

 

Tragjedia në çiklizëm, humb jetën gjatë garës 23-vjeçari belg

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
9 Prill 2018 12:04

“Me hidhërim të thellë ju njoftojmë ndarjen nga jeta të çiklistit tonë Michael Goolaerts. Zemra e tij u ndal në orën 22.40 (të dielën) në spitalin e Lilës në prani të familjarëve dhe të afërmve të tij, të cilët do të kujtojnë gjithmonë me dashuri”. Kjo është komunikata për shtyp ku ndër të tjera theksohet: “Për momentin nuk do të ketë deklarata të tjera për të lënë familjen të qetë në këtë moment dhimbjeje”. Turi i Roubaix mbyllet me një tragjedi. Goolaerts, çiklisti 23-vjeçar belg, pësoi një arrest kardiak teksa po pedalonte në Biastre, rreth 147 km larg finishit. Menjëherë vjen ndihma e parë mjekësore dhe më pas transporti në spital, ku çdo përpjekje ka rezultuar pa sukses.

Një imazh vërtetë drithërues: belgu i shtrirë në tokë, me krahët hapur. Goolaerts garonte për skuadrën profesioniste “Veranda’s Willems-Crelan”, të drejtuar nga Nick Nuyens. Arresti kardiak zgjat disa minuta dhe gjithçka ka ndodhur para se çiklisti i ndjerë të rrëzohej, diçka e konfirmuar tashmë. Për t’i ardhur në ndihmë çiklistit belg është përdorur defibrilatori e më pas transporti me helikopter në spitalin e Lilës.

Televizionet nuk kanë shfaqur momentin ekzakt të rrëzimit (dëshmitari i vetëm ishte Thierry Govenou, drejtori i garës), por fotografitë e ndihmës së shpejtë ku shfaqej Goolaerts i shtrirë në tokë ishin dramatike. Ndihma mjekësore erdhi vetëm 2-3 minuta më pas, por masazhi kardiak nuk dha rezultat. Gjatë garës është venë re edhe prezenca e policisë francez,m që tani ka hapur një hetim për rrethanat e vdekjes. Në të njëjtën skuadër punon edhe belgu Niels Albert, dy herë kampion i botës në çiklo-kros, i tërhequr nga garat në 2014-n për shkak të problemeve kardiake. Goolaerts kishte lindur në Heist-op-den-Berg, në zonën e Anversës: pikërisht aty në vitin 1993 kishte ndërruar jetë gjatë garës Geert De Vlaeminck, djali i shtatë herë kampionit të çiklo-krosit, Eric./EDS/

McGregor e blen lirinë për 50 mijë USD, por procesi gjyqësor vazhdon...

Ti mund ta lexosh kete ne 1 min.
7 Prill 2018 12:47

Conor McGregor ka rifituar lirinë... të paktën për momentin. Luftëtari irlandezoverior, pasi pagoi një garanci pasurore prej 50 mijë dollarësh (rreth 40.5 mijë euro), është larguar nga departamenti i policisë së Nju Jorkut. Por McGregor duhet të prezantohet para gjykatësve amerikanë më datën 14 qershor.

Ndërkohë, ai ka rimarrë pasaportën e tij dhe është i lirë për t’u larguar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kampioni i arteve marciale do t’u përgjigjet akuzave për agresion dhe akte vandale, pas natës së çmendur në Nju Jork ku u bë protagonist duke sulmuar një autobus të vogël, që pas konferencës për shtyp në “Barclays Center” të organizuar nga Ufc, transportonte disa luftëtarë të arteve marciale.

Ato që kanë rënduar pozitat e McGregor kanë qenë pamjet e kapura nga telekamerat, që e tregojnë shumë qartë kampionin teksa hedh sende të forta në drejtim të autobusit. Sulmi i ka shkaktuar dëmtime në fytyrë Michael Chiesa-s, kolegut të tij, dhe një personi tjetër, përveç dëmeve materiale që llogariten me rreth 8 mijë dollarë.

Britaniku, i cili nuk hipën në ring qysh nga nëntori i vitit 2016, i ishte hequr titulli i peshave të lehta, duke mbetur kështu vakant. Për këtë titull do të duhet të ndesheshin Khabib Nurmagomedov dhe Max Holloway. Një vendim ky që ka shkaktuar tërbimin e sportistit dhe një grupi bashkatdhetarësh të tij, të cilët pasi kanë hyrë në një zonë të rezervuar mbase të ndihmuar edhe nga ndonjë person i akredituar, kanë nisur sulmin e dhunshëm ndaj mjeteve të transportit të Ufc, kompanisë që menaxhon artet e përziera parciale./EDS/

 

Tragjedia, kamioni përplas autobusin e skuadrës së hokejit: 14 të vdekur!

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
7 Prill 2018 11:52

Të paktën 14 persona kanë humbur jetën në një aksident të rëndë rrugor në Kanada: një kamion është përplasur me një autobus me të cilin po udhëtonte një skuadër hokeji të moshave, sipas lajmit që raporton BBC. Në bordin e autobusit ndodheshin 28 persona, nga të cilët tre janë në gjendje të rëndë shëndetësore pas plagëve të marra nga ky aksident. Skuadra e "Humboldt Broncos", po udhëtonte në Autostradën 35, në veri të Tisdejl, që ndodhet në provincën e Saskaçiuan.

Humboldt Broncos, ekip që militon në “Junior Hockey League” të Saskaçiuan, ishin duke shkuar për të luajtur play-off-in ndaj skuadrës së “Nipawin Hawks”. Mësohet se sportistët që udhëtonin në autobus ishin të moshës nga 16 deri në 21 vjeç. “Është shumë më e rëndë nga sa mund të imagjinohet”, - ka deklaruar presidenti i skuadrës së Broncos, Kevin Garinger, duke folur për kanalin kanadez CBC. – "Jemi tejet të shokuar nga kjo tragjedi".

“Nuk mund ta imagjinoj dot se çfarë gjendje po kalojnë prindërit e tyre në këto momente”, ka komentuar në profilin e tij në “Twitter” Kryeministri kanadez, Justin Trudeau.

Liga e Saskaçiuan është turneu për moshat më i rëndësishëm që angazhon talentet e reja, duke i përgatitur më pas kolegjet amerikane dhe kanadeze, në një kohë që më të mirët mund të transferohen direkt e në NHL: prej këtij turneu kanë dalë emra të njohur si Chris Chelios, Jon Hextall, Rod Brind’Amour dhe Glenn Hal. Në dhjetor të viti 1986, po në Saskaçiuan, ndodhi një tjetër aksident rrugor që shkaktoi 4 të vdekur të skuadrës “Swift Current Broncos” që militonte në “Western Hockey League” pas daljes nga rruga të autobusit. Një memorial është vendosur në autostradë në vendin e aksidentit. Ish-lojtari i hokejit në NHL, Sheldon Kennedy, i cili i kishte mbijetuar atij aksidenti të tre dekadave më parë, u ka dërguar familjarëve të viktimave një mesazh ngushëllues. “Po lutem për këto djem!”./EDS/