Stambolli nuk është fushë me lule për trajnerin Heynckes

Stambolli nuk është fushë me lule për trajnerin Heynckes

Bayern München krenohet me faktin se nuk ka humbur asnjëherë kundër një skuadre turke në Evropë (në ndeshje me eliminim direkt), por trajneri Jupp Heynckes pas shortit të sotëm me Besiktas-in në 1/8-at e Ligës së Kampionëve ka theksuar se kjo nuk është diçka që arrihet automatikisht.

Pas fitores 3-1 me PSG-në, 72-vjeçari pati theksuar se skuadra nuk ka arritur ende në nivelin e duhur dhe se kulmi i formës duhet të jetë për në shkurt. Pra, fiks koha kur bavarezët do të ndeshen me turqit.

“Nuk do të jetë e lehtë për të vazhduar me atë rekord. Besiktas ka treguar që ka një skuadër shumë të organizuar. Do të duhet të japim maksimumin në të dyja takimet. Besiktas ka cilësi, kështu që duhet të kujdesemi për të mos e nisur keq ndeshjen e parë”, – deklaroi sot Don Jupp.