STATISTIKAT/ Paradoksi Napoli, i madh vetëm me… të mëdhatë

14 Shkurt 2020

I bukur në mbrëmje, të vjen të thuash, sepse Napoli i Kupës së Italisë është tërësisht diçka tjetër: të pamposhtur gjatë këtij sezoni në Ligën e Europës dhe në Kupën e Italisë me Ançelotin dhe Gatuzon, “Axurrët” janë skuadra e vetme që kanë mposhtur Liverpulin e pandalshëm dhe gjatë muajit të fundit eliminuan kampionët në fuqi të Kupës së Italisë, Lacion, dhe kanë mposhtur dy kryesuesit e Serisë A, Juventusin dhe Interin.

 MESI & CO. – Një Napoli i madh me të mëdhatë: mbështetet te këto statistika dhe këto paraqitje Gatuzo, i cili nga suksesi në “San Siro” kundër zikaltërve shpreson të marrë energjitë e duhura për të rinisur marshimin pas “stërkëmbëshit” të papritur me Leçen, në përpjekje për të shpëtuar një sezon deri tani të dështuar.

Edhe falë fitores në transfertë në gjysmëfinalen e parë, Kupa e Italisë është shndërruar për Napolin në një nga “kamerdaret” e shpëtimit, për t’i dhënë një kuptim sezonit, meqenëse në kampionat vendi i katërt ndodhet 12 pikë larg e duke konsideruar edhe faktin që kundërshtari i radhës në Champions do të jetë Mesi dhe Barcelona e tij: jo rivali më i lehtë për t’u përballur.

 FAT – Megjithatë, ndoshta për Gatuzon, që në “San Siro” mbajti portën e paprekur për herën e tretë nga zbarkimi i tij te Napoli (të gjitha në Kupë), sfida kundër Barcelonës është një lajm i mirë. Më 25 shkurt në “San Paolo” do të udhëtojë një skuadër që po përjeton një seri vështirësish të papritura, pa Suarezin e Dembelenë dhe me një grup të tendosur për polemikat mes drejtuesit Erik Abidal dhe Leo Mesit. Rasti më i mirë për të treguar që janë të mëdhenj me të mëdhatë.

PANORAMASPORT.AL

www.panorama.com