Strakosha e bën pushim në fitoren e Lazios, Gerrard e mban Grezdën në stol

Lazio ka mundur 2-1 në “Olimpico” Apollon Limasol duke nisur mjaft mirë sezonin europian. Trajneri Simone Inzaghi i dhuroi debutimin në portë belgut Silvio Proto, duke lënë pushim për këtë ndeshje portierin e Shqipërisë Thomas Strakosha, për të qenë sa më i çlodhur për sfidën e rëndësishme kundër Geonas të dielën në kampionat.

Bardhekaltrit shënuan që pa kaluar çerek pre lojë me anë të Luis Alberto, i cili kombinoi bukur me Caicedon duke realizuar praktikisht një penallti në lëvizje brenda zonës së qipriotëve. Por në pjesën e dytë të zotët e shtëpisë nuk dhuruan të njëjtin ritëm loje, ndoshta duke e menduar të fituar takimin. Goli i dytë vjen vetëm gjashtë minuta para fundit të kohës së rregullt, kur Immobile realizon nga pika e bardhë pas një penalltie të fituar për një ndërhyrje të gabuar në zonë. Qipriotët gjithsesi frikësuan Lazion në fund të takimit, kur Zelaya mori një top shumë të saktë nga një goditje këndi dhe mposhti Potron, debutues me fanellën bardhekaltër këtë sezon.

Ndonëse nuk ishte lënë në tribunë si Strakosha, Eros Grezda nuk arriti të bindte trajnerin Steven Gerrard ta fuste në lojë në ndeshjen kundër Villarreal, të mbyllur në barazim 2-2. Ish-milanisti Bacca kaloi spanjollët në avantazh që në minutën e parë, një gol që tërboi Gerrard në stol. Në pjesën e dytë Rangers arritën të bërazonin në të 67’ por dy minuta më vonë Villarreal kaloi sërish në avantazh. Pikën për klubin e Gllasgout e shpëtoi sulmuesi Lafferty i cili kontrolloi bukur topin në zonë dhe mposhti portierin. Edhe pse pas golit të barazimit Gerrard bëri edhe dy zëvendësime të tjera, Greza nuk mundi sërish të luante qoftë edhe disa minuta./EDS/

**********

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota ne kohe reale nga Futbolli dhe sportet tjera.