Strakosha sërish pushim, Lazio shpërfytyrohet në Frankfurt (VIDEO)

Strakosha sërish pushim, Lazio shpërfytyrohet në Frankfurt (VIDEO)

Lazio është mundur 4-1 nga Eintracht Frankfurt në ndeshjen e dytë të fazës së grupeve të Europa League, duke mbyllur ndeshjen me nëntë lojtarë në fushë pas përjashtimeve të Basta dhe Correa. Edhe në këtë takim, sikurse në ndeshjen e parë në Europa League, trajneri Simone Inzaghi kishte vendosur të mos e aktivizonte portierin e kombëtares Thomas Strakosha, duke i besuar aventurën europiane belgut Silvio Proto.

Frankfurti e gjeti golin shumë shpejt kur Da Costa shënoi që në minutën e katërt pas një goditje këndi, pa i lënë asnjë shans portierit kundërshtar. Lazio arriti të barazonte me anë të Parolos në të 23’, por vetëm pesë minuta iu deshën gjermanëve që të riktheheshin në avantazh, pas një aksioni të bukur të finalizuar me gol nga Kostic.

Dusan Basta mori dy kartona të verdhë brenda nëntë minutave dhe la të tijtë me dhjetë vetë që në pjesën e parë, duke ia vështirësuar mbrëmjen italianëve.

Në të 53’ Jovic shënoi edhe golin e tretë me një parabolë mbi Proton që kishte dalë nga porta. E sikur të mos mjaftonte kjo, Correa bëri një ndërhyrje të ashpër në mesfushë dhe gjyqtari nuk ngurroi t’i tregonte direkt të kuqin. Një mbrëmje e zezë për Lazion që u mbyll edhe më keq kur Da Costa shënoi golin e katërt në minutën e katërt shtesë.

Një mbrëmje më e mirë për shqiptarin tjetër në garë, Eros Grezda, edhe pse nuk shijoi asnjë minutë në fushë nga fitorja e Rangers 3-1 kundër Rapid Wien. Mesfushori shqiptar nuk u aktivizua as në këtë takim nga trajneri Steven Gerrard, edhe pse gjatë ditës në formuet e tifozëve të skuadrës skoceze të gjithë prisnin ta shihnin që nga minuta e parë./EDS/

**********

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota ne kohe reale nga Futbolli dhe sportet tjera.