Sulmuesi nga Superiorja refuzoi mijëra euro nga Drita e Gjilanit

02 Korrik 2018

Kosova mund të quhet tregu i preferuar i disa futbollistëve nga Shqipëria, megjithatë, jo të gjithë pranojnë që të transferohen në këtë kampionat që mund të ofrojë para, mirëpo jo cilësinë që të ofron kampionati shqiptar.

Dikush mund të mos e besojë, por ka ndodhur që të refuzohet dhe skuadra kampione e Kosovës, Drita e Gjilanit. Këtë gjë e ka bërë shtatlarti Fatjon Sefa, sulmuesi i Lushnjes. Sulmuesi 34-vjeçar ka marrë një ofertë zyrtare nga skuadra kampione e Kosovës, Drita e Gjilanit. Por, ‘eduasportin.com’ mëson ekskluzivisht se shtatlarti që shënoi 10 gola këtë vit në Superiore e ka refuzuar ofertën e klubit nga Gjilani.

Arsyeja është shumë e thjeshtë: Lidhja e tij me qytetin e Lushnjes dhe fanellën verdhejeshile e ka bërë që ai të refuzojë për të luajtur edhe këtë sezon me skuadrën e zemrës. Normalisht, 25 mijë euro në një sezon futbollistik nuk janë pak për një lojtar nga kampionati shqiptar, megjithatë, Sefa këtë herë ka vendosur që të qëndrojë dhe të mos bëjë këtë lëvizje.

Aktualisht Drita ka afruar portierin e mirënjohur Edvan Bakaj, i cili sezonin e shkuar u transferua nga Tirana te Liria e Prizrenit. Ndërsa është duke marrë pjesë në Champions League, ku në turin paraeliminator ka fituar të dyja takimet, atë kundër Santa Coloma që e mbylli 0-2 dhe atë kundër Lincoln Red Imps që e mbylli 1-4. Tashmë do të vendoset në raundin e parë eliminator kundër gjigantëve suedez, Malmo. Ndeshja e parë do të luhet në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë më 10 korrik në orën 20:45 dhe takimi i kthimit në Malmo në orën 19:00 më 17 korrik. /EDS/

*************************

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota ne kohe reale nga Futbolli dhe sportet tjera.