Talenti shqiptar i befason të gjithë, largohet nga Bajerni dhe firmos në… kategorinë e katërt

31 Korrik 2020

Një nga talentet më premtuese të përfaqësueseve të moshave të Shqipërisë, mesfushori ofensiv Marvin Çuni, i ka dhënë lamtumirën Bajern Mynih, për të shkuar në Kategorinë e Katërt gjermane. Djaloshi kërkonte që të aktivizohej më rregullisht dhe bavarezët ia kanë plotësuar dëshirën, për t’i dhënë eksperiencë në fushën e lojës.

Çuni do të jetë në sezonin e ri pjesë e skuadrës së SG Sonenhof Grosaspah, në Kategorinë e Katërt gjermane. Klubi ra nga kategoria në këtë sezon dhe po mendon të ringritet, por edhe të promovojë futbollistë të rinj, ndaj sapo ka parë t’i shfaqet mundësia, ka gjetur akordin me Bajern Mynih për transferimin sezonal të lojtarit.

Në këtë mënyrë, futbollisti i cili do të mbajë fanellën me numrin 7 në skuadrën e re, pritet të jetë titullar atje e të përfitojë më shumë eksperiencë sesa në kampionatet e moshave me fanellën e bavarezëve, pasi ata nuk planifikonin ta kalonin te skuadra B as në këtë edicion. Çuni luajti 24 ndeshje në sezonin e fundit me ekipin U-19 të Bajernit, duke shënuar 7 gola dhe dhënë 4 asiste për bavarezët, të cilët e vlerësojnë si një futbollist me shumë perspektivë për të ardhmen.

PANORAMASPORT.AL

www.panorama.com