“Të hapen kamerat e sigurisë”, Nagelsman-Simeone “sherr” në tunel pas ndeshjes

15 Gusht 2020

Çfarë ka ndodhur me saktësi pas ndeshjes Lajpcig-Atletiko mes dy trajnerëve respektivë, mbetet ende shumë e paqartë. Fjalët e trajnerit gjerman, Julian Nagelsman, lanë të gjithë me gojë hapur pas ndeshjes të së enjtes, duke thënë se ishte më mirë sikur të hapeshin kamerat për të parë sjelljen e kolegut Diego Simenone.

“Mund të them që ai është një tip shumë i veçantë. Por ndonjëherë kërkon me patjetër që të fitojë, në fakt ashtu duam të gjithë. Për më tepër duhet të hapni kamerat dhe të shihni gjithçka çfarë ka ndodhur”, tha Nagelsman pas duelit me spanjollët.

Incidenti mes dy teknikëve duket se ka ndodhur rrugës për në tunelin e dhomave të zhveshjes. Edhe pse askush nuk e di çfarë është diskutuar mes njëri-tjetrit. Pamjet televizive gjithashtu nuk transmetuan asgjë duke e lënë ngjarjen në errësirë të plotë.

Nagelsman iu përgjigj kështu pyetjes se si ishte dueli mes tij dhe Simeones në ndeshjen në fjalë. “Deri në përfundim të pjesës së parë, gjithçka ishte mirë. Më pas tregoi se është një trajner që kërkon të fitojë me çdo kusht. Për mua kjo nuk ka asnjë lloj problemi”, tha 33-vjeçari, i cili nuk kërkoi të zbulonte asgjë nga debati me argjentinasin.

“Unë nuk do ta kisha bërë kurrë, por secili vepron në mënyrën e tij”. E vetmja mënyrë për të zbuluar ngjarjen, është të shikohen pamjet nga kamerat e sigurisë brenda në tunel. Por kjo nuk mund të ndodhë, pasi këto pamje janë një ekskluzivitet i UEFA-s dhe policisë për raste të jashtëzakonshme.

Kujtojmë që Julian Nagelsman është trajneri i parë në historinë e Champions-it që arrin të shkojë në gjysmëfinale në moshën 33-vjeçare. Ai ka arritur në këtë sezon të mundë me Lajpcigun skuadra që janë drejtuar nga trajnerë të mëdhenj, siç janë Hoze Murinjo (Totenhem) dhe Diego Simeone (Atletiko Madrid). Tani ai do të përballet në gjysmëfinale me bashkëkombësin e tij, Tomas Tuhel, që drejton skuadrën e Parisit.

www.panorama.com