Të rinj dhe me perspektivë, Bushi zbulon listën e Kombëtares U-21

24 Maj 2019

Trajneri i kombëtares shqiptare U-21, Alban Bushi publikoi listën me 25 lojtarët që do të ketë në dispozicion për tre ndeshjet e qershorit, atë të datës 7 kundër Turqisë në eliminatoret e Kampionatit Europian dhe ato miqësore përballë Uellsit në program në datat 19 dhe 21 të muajit të ardhshëm. I kushtëzuar edhe nga mungesat, tekniku i shpresave kuqezi ka guxuar edhe me disa debutues, ndërsa si gjithmonë një vëmendje të veçantë kanë edhe lojtarët e Superligës.

Lista E Bushit

“Kemi shumë lojtarë të rinj. Kemi të datëlindjes 2000, sepse dëmtimet na e kanë ndërlikuar situatën. Këta janë lojtarë të perspektivës, por nuk ishin në planet tona, sepse ishin këta 5 të tjerët që mungojnë. Gjithsesi këta e plotësojnë grupin. Lojtarët e kampionatit shqiptar kanë minuta në këmbë dhe kanë bërë mirë. Edhe Bardhi është në gjendje të mirë, e ka për herë të parë. Fokusi jonë do të jetë te Turqia, por edhe te Uellsi”, ka thënë Bushi në konferencën për mediat.

Kualifikueset e Europianit i rezervojnë Shqipërisë U-21 një debutim të vështirë siç është ndeshja në transfertë kundër Turqisë. “Është e vështirë dhe e rëndësishme. Mund të kishim pikë më shumë. Nëse nuk marrim rezultat pozitiv, atëherë shpresat tona janë të pakta. Turqinë e njohim, kemi një pasqyrë më të saktë pas ndeshjes së parë. Kemi disa probleme sepse nuk do të jenë 5 lojtarë. Bajramaj, Muçolli, Ademi, Kryeziu edhe Selmani që do të jetë me ekipin e parë. Edhe ata që i kanë zëvendësuar janë në gjendje të mirë. Do të mundohemi të luajmë mirë dhe të marrim rezultat pozitiv”, ka vijuar tekniku i Shpresave.

60681620 2121540894611795 6878965426823364608 N

Një pjesë e futbollistëve U-21 po stërviten prej fillimit të javës bashkë me lojtarët e grumbulluar paraprakisht nga trajneri i kombëtares së parë Edi Reja. Kjo zgjedhje është vlerësuar edhe nga Bushi. “Bëmë një mbledhje kur trajenri i ri erdhi. Shumë lojtari nuk mund të ishin në datën 20 maj. Ishin vetëm 10-12 lojtarë. Edhe unë kisha problemet e mia, ku lojtarët kishin dalë nga objektivat dhe jo në formë të mirë fizike. Lojtarët në fund të kampionateve janë të lodhur dhe mund të tolerojnë, por pa të keq në stërvitje, për shkak të lodhjes. Ky grumbullim u bën mirë atyre dhe Rejas. Ai ka mendim pozitiv për disa lojtarë. Disa i ka veçuar dhe do të jenë në vëmendje”, shprehet Alban Bushi.
(balkanweb)

www.balkanweb.com