Tërheqja/ Kahn del kundër Buffon, tregon se ku ka gabuar

Oliver Kahn mendon se Gianluigi Buffon nuk duhej që të ishte në fushë në sfidën ndaj Real Madridit. Për ish gardianin e Bayern Munchen, do të ishte më mirë nëse portieri 40 vjeçar të tërhiqej më përpara. Ashtu siç veproi edhe ai, por edhe Lahm.

Kritikat – “Nuk është e lehtë që ta kuptosh se kur duhet që të heqësh dorë. Nëse ai do të tërhiqej më përpara do të shmangte eliminimin me Suedinë për në botëror dhe këtë zhgënjim të fundit me Real Madridin. Por ai shtyhet nga dëshira për të arritur gjithnjë rekorde të reja dhe nga ëndrra për të fituar Champions League”, tha ish portieri.

Lamtumirat – Kahn vendosi që të tërhiqej gradualisht. E la kombëtaren në 2006, në përfundim të botërorit, pastaj në 2008 i dha lamtumirën futbollit. “Unë mund të luaja edhe 2-3 vite të tjera. Por për çfarë? Edhe Lahm ishte perfekt në vendimin e tij. Nëse nuk arrin të gjesh momentin duhur për tu ndalur, më pas shkëputja të vret. Unë do t’i sugjeroja Buffon ta mbyllte. Ai ka qenë kampion bote, portieri më i mirë i botës, kjo ka rëndësi. Nuk ka rëndësi fare kartoni i kuq kundër Real dhe fakti që ai nuk e ka fituar Champions”, argumentoi legjenda gjermane e futbollit. /EDS/