Theu rregullat e izolimit pasi e telefonoi djali i sëmurë – Boateng bën aksident, por edhe dënohet nga Bayerni

02 Prill 2020

Jerome Boateng ka përjetuar një nga ditët më të errëta në jetën e tij në këtë kohë pandemie.

Qendërmbrojtësi gjerman i Bayernit ishte duke qëndruar i izoluar në shtëpinë e tij në Munich, kur mori telefonatë nga djali i tij Jermar që po qëndronte në spital në Leipzig.

Boateng mori makinën e tij dhe shkoi në spital për ta takuar djalin e tij katër vjeçar, gjendja e të cilit ishte përkeqësuar.

Gjithsesi duke u rikthyer në Munich, Boateng ka pësuar një aksident me makinë pasi ishte duke rënë breshër dhe doli nga autostrada, pasi makina e tij nuk kishte goma dimri.

31-vjeçari ka shpëtuar pa pësuar ndonjë lëndim, por ka thyer makinën e tij të tipit mercedes.

Sikur mos të mjaftonte kjo, lojtari është dënuar edhe nga klubi i tij Bayern Munich, pasi ka dalë jashtë qytetit pa marrë leje.

Shuma e të hollave që Bayerni e ka dënuar mbrojtësin e tyre nuk është bërë publike, por kampionët e Gjermanisë kanë bërë të ditur se ato mjete do t’i dhurojnë në spitalet e Munichut që po mjekojnë të prekurit nga coronavirus.

Boateng së bashku me djalin e tij në spitalin e Leipzig.

Vetë mbrojtësi gjerman ka thënë se e pranon çdo gjobë të mundshme, pasi ishte gabim që nuk e njoftoi klubin për largimin nga qyteti.

“Unë e pranoj çdo gjobë të botës nëse është e justifikuar dhe e di që ishte një gabim të mos e lajmëroja klubin për udhëtimin tim, por në atë moment po mendoja vetëm për djalin tim”, ka deklaruar Boateng.

“Shëndeti i Jermar nuk ishte i mirë. Kur një djalë telefonon babanë dhe i kërkon ta vizitojë, atëherë nuk mendon për asgjë tjetër dhe përsëri do të veproja njëjtë”.

“Unë e pranoj çdo gjobë për të, në fund të fundit është djali im. Deshi ta shoh babanë në një moment të vështirë dhe nuk mund ta lija një fëmijë katër vjeçar vetëm”, përfundoi Boateng. /Telegrafi/

www.telegrafi.com