Tifozët nuk e falin Brazilin, sulme dhe kërcënime me vdekje

Eliminimi në çerekfinale nga Belgjika ka ngjallur reagime të ashpra të tifozëve në Brazil. Fansat verdhejeshilë nuk janë aspak të kënaqur me atë që skuadra e tyre dha në fushë dhe kanë sulmuar autobusin me të cili udhëtonte kombëtarja dhe stafi teknik. Në shtetin madh amerikano latin, njerëzit prisnin që këtë herë Kupa e Botës të vinte aty. Brazili shikohej si favoriti kryesor për ta fituar këtë trofe.

Kur morën vesh që kombëtarja po kthehej, një numër i madh tifozësh bllokuan rrugën dhe nisën që të godisnin mjetin me vezë, perime dhe hodhën bojëra të ndryshme. Mjeti shoqërohej edhe nga një eskortë policie dhe situata u vu në kontroll pa shkaktuar dëme serioze.

Gjithsesi, një veprim i tillë trishtoi edhe më shumë futbollistët brazilianë, të shkatërruar nga humbja 2-1 ndaj Belgjikës. Por më keq nga të gjithë futbollistët e ka pas mesfushori Fernandinho, i cili shkaktoi autogol ndaj “Djajve të kuq”.

Me dhjetëra tifozë i kanë shkruar atij në rrjetet sociale, e po ashtu edhe familjes dhe e kanë kërcënuar me vdekje. Edhe ofendimet raciste nuk kanë munguar. Madje, fansat e irrituar nuk kanë kursyer as nënën lojtarit, e kjo e fundit u detyrua që ta mbyllte fare profilin e saj në Facebook.

Kërcënime të tilla e trembën së tepërmi futbollistin, i cili kërkoi ndihmën e policisë, për të evituar probleme të mëtejshme. Policia braziliane pas kërkesës së bërë, ka nisur një hetim dhe po monitoron familjen e futbollistit. /EDS/

**************************

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota në kohë reale nga Futbolli dhe sportet e tjera.