Tirana ‘arkëton’ titullin që nuk do ta kishte dashur kurrë

Tirana ‘arkëton’ titullin që nuk do ta kishte dashur kurrë

Tirana ka arritur që të bëjë për vete dhe trofeun që kurrë nuk e kishte menduar një vit më parë. Por, fati e solli këtu dhe sot arriti që me dy gola të Bedri Grecës të fitojë finalen e Kategorisë së Parë kundër Kastriotit me rezultatin 2-0. Nëse pjesa e parë  u mbyll me rrjeta të paprekura, në të dytën ekipi i brazilianit e gjeti dy herë rrjetën për të fituar 3 milionë lekë të rinj si shpërblim për fitimin e titullit në këtë kategori.

Pjesa e parë e takimit ishte e ekuilibruar për të dyja skuadrat. Edhe pse formacioni i Samuel Nikajt ishte më sulmues duke parë ndërtimin e skemës, Ze Maria nga ana tjetër diti mjaft mirë që të ndërojë mënyrën e lojës që ta vinte në vështirësi ekipin krutan.

Bardheblutë kërkuan me insistim golin me Grent Halilin, Dajën dhe Grecën, por ishte e pamundur që të ndëshkonin krutanët. Edhe ekipi mik u mundua që të reagonte, por ishin të paqartë në vijën e sulmit, ku Mziu dhe Malindi nuk mundën që të realizonin.

Në pjesën e dytë çdo gjë ishte ndryshe. Bardheblutë e kërkuan me ngulm golin dhe nuk u dorëzuan në çdo minutë, ku më në fund në minutën e 65 zhbllokuan rezultatin me të zakonshmin Bedri Greca. Kombinim mjaft i bukur me Asion Dajën dhe Greca në fund i gjendur përball Kukës e dërgon sferën në rrjetë, 1-0!

Entuziazëm te bardheblutë, kjo u pa qartë edhe në pankinë ku stafi brazilian u ngrit në këmbë për të festuar. Por, nuk vonoi shumë, goli i dytë erdhi sërish nga Greca. Në minutën e 71 Sentamu e nxori të vetëm me portierin Kuka dhe Greca nuk zhgënjeu, por çoi shifrat në 2-0.

Në minutat e mbetura të sfidës Kastrioti u duk pothuajse i dorëzuar. Idetë e sulmit nuk ishin të qartë, ndërsa Tirana arriti që të përfitojë nga çdo gabim duke tentuar që të gjente golin e tretë. Por, pas tre minutash shtesë, ndeshja u mbyll me rezultatin 2-0, për t’i dhënë në fund të drejtën e festës Tiranës për trofeun që nuk do të donin kurrë ta arkëtonin në zyrat e klubit të tyre. /EDS/

Tirana-Kastrioti 2-0
Shënues:
Greca 65′,71′)

Tirana: Lika, Maweje, Hoxhallari, Halili (Çelhaka 88’), Cake, Sentamu, Greca (Bardhi 77′), Kerciku, Karabeci, Turtulli, Daja (Muçi 92’). Trajner: Ze Maria

Kastrioti: Kuka, Mziu, Hoxha, Çela, Lila, Mulaj (Caca 58′) , Lilaj, Çutra, Marku (Vatnikaj 77′), Husein (Neziri 62′), Malindi. Trajner: Samuel Nikaj

Gjyqtar: Enea Jorgji (Elbasan)
Kartonë të verdhë: Maweje 23′, Daja 29′, Husein 42′