Tirana bëhet faktor në garën për titull, Vllaznia bie në kryeqytet. Teuta rimerr kreun, Partizani ndalet në Laç

28 Prill 2021

Vazhdon të jetë larg titullit, por Tirana duket se po ndikon direkt në fatin e trofeut për këtë sezon të Superligës. Brenda katër ditëve, bardheblutë e kryeqytetit mundën dy prej favoritë, teksa pas Teutës në kryeqytet është dorëzuar edhe Vllaznia. Një gol i Bathës në minutën e 74-rt vendosi triumfin 1-0 të skuadrës së drejtuar nga Orges Shehi.

Me këtë fitore, Tirana ngjitet në kuotën e 49 pikëve në vendin e pestë, katër posht zonës Euro dhe gjashtë larg kreut. Diferenca mbetet e madhe, por matematika i jep shpresë kampionëve në fuqi. Nga ana tjetër, kjo humbje zbret Vllazninë në vendin e tretë, me shkodranët që lëshojnë terren ndaj rivalëve direktë të Teutës dhe Partizanit. Durrsakët u kthyen në vendin e parë pas fitores 2-0 kundër Kukësit. Gjithçka e lehtë për të besuarit e Edi Martinit, që kaluan në epërsi shumë shpejt, falë golit spektakolar të Krasniqit në minutën e 11-të.

Pas pushimit, në të 67-ën, Hoxha me golin e dytë vulosi fitoren e Teutës që numëron 55 pikë në krye të renditjes. Në vendin e dytë, me një pikë më pak pozicionohet Partizani, që nuk shkoi më shumë se barazimi 2-2 në transfertën e Laçit.

Çinari në minutën e nëntë hapi serinë e golave për këtë sfidë me epërsinë e të kuqve.
Vendasit reaguan shpejt dhe barazuan shifrat me Mustën. Kaq për pjesën e parë, ndërsa pas pushimit, Laçi përmbysi rezultatin me golin e Shehut në të 58-ën. Për të evituar humbjen e skuadrës së tij mendoi Junior që në minutën e 79-të vulosi barazimin në këtë ndeshje.
(balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.Grupi Balkanweb
www.balkanweb.com