Trajneri i kujt? Gjithçka që u tha në debatin e nxehtë ndërmjet menaxherit të ekipit të Kosovës dhe gazetarit të AS

31 Mars 2021

Menaxheri i ekipit të Kosovës, Bajram Shala, ishte në krah të përzgjedhësit Bernard Challandes dhe mesfushorit Hekuran Kryeziu, në konferencën për shtyp para ndeshjes së rëndësishme kundër Spanjës.

Të mërkurën mbrëma në Sevilla, Dardanët kanë një sfidë të vështirë përballë La Rojas, në kuadër të Grupit B kualifikues dhe ky takim vjen pas humbjes në takimin e parë ndaj Suedisë në “Fadil Vokrri”.

Meqenëse Spanja nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës, trajtimi që i kanë bërë mediat spanjolle skuadrës tonë nuk ka qenë aspak i këndshëm, ndërsa tensionet nuk kanë munguar as në konferencën për shtyp.

Kur gazetari i AS ia kishte drejtuar një pyetje Challandes, pas një debati, Shala e kishte detyruar gazetarin të thoshte që pyetja i drejtohet “trajnerit të Kosovës” dhe vetëm atëherë ai ka mundur ta marrë përgjigjen.

Më poshtë jua sjellim të plotë debatin ndërmjet Shalës dhe gazetarit të AS (që bashkëbisedonte përmes përkthyesit):
Shala: Tani pyetja tjetër. Ruben Ares nga AS. Pyetja nga gazetari i AS, Diario AS.
Gazetari: Siç e shihni, Spanja pas dy ndeshjeve të vështira, mendoni se Luis Enrique do t’i ndryshojë shumë gjëra për këtë ndeshje (kundër Kosovës)?
Shala: Kujt i drejtohet pyetja?
Gazetari: Për trajnerin.
Shala: Trajnerit të… Trajnerit të… Sepse nuk e kemi parë emrin e ekipit tonë kombëtar asnjëherë në median tuaj. Prandaj, do të duhej të ishte e qartë se për trajnerin e cilit ekip është pyetja.
Gazetari: Pyetja është për trajnerin. Dua të di nëse Luis Enrique do të ndryshojë shumë gjëra për ndeshjen e nesërme.
Shala: Po, por për trajnerin e cilës skuadër? Sepse nuk e kemi parë kurrë emrin e ekipit tonë kombëtar në raportimet e gazetës tuaj.
Gazetari: Pyetja është për trajnerin…
Shala: Të cilës skuadër?
Gazetari: Të Kosovës…
Shala: Në rregull. Ai do të përgjigjet tash.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.Grupi Balkanweb
www.balkanweb.com