Trashëgimtar i aristokracisë nigeriane, historia e pathënë e Anthony Joshuas

Ti mund ta lexosh kete ne 4 min.
24 Shtator 2018 18:54

Sezoni i shirave në Nigeri është në pikun e tij dhe rrugët e fshatrave nuk kalohen përveç se me makina 4x4. Në Sagamu, një qytet i vogël plot jetë rreth dy orë larg me makinë nga kaosi i Lagosit, njerëzit ankohen se nuk e shohin diellin prej javësh tashmë. Por të shtunën në mbrëmje, mijëra vetë ndezën qendrën e qytetit përballë Muzeut Memorial të Baba Josh, një njeri që pak vetë e kanë parë të gjallë, por shumë e vlerësojnë si më të madhin e “sojit” të tyre.

Trashëgimia nigeriane e Anthony Joshuas nis pikërisht këtu dhe është ndoshta pjesa më e panjohur e jetës së njeriut që brenda pak kohësh, nga një i ri rebel në rrugët e Watfordit, u shndërrua në kampionin e madh që boksi priste prej vitesh.

Një hartë siluetë e Afrikës, tatuazh në krahun e tij, me kufijtë e Nigerisë të theksuar, tregon një histori për të cilën ai rrallë flet. Në biografi apo dokumentarë, lidhjet e Joshuas me këtë vend janë tërësisht të përjashtuara.

Kjo ka bërë që ai shpesh të kritikohet nga kundërshtarët e tij për mohim të rrënjëve. Deontay Wilder, me shumë gjasa rivali i tij i ardhshëm titullin e kampionit të padiskutueshëm në katër versione, shkroi në Twitter së fundmi: “Hiqe Afrikën nga krahu. Ata janë luftëtarë. Ti je nga Mbretëria e Bashkuar vëllaçko”. Ndërsa Tyson Fury shkoi edhe më tej: “Unë jam më nigerian se sa ty. Kur të ndeshemi do të valvis flamurin e Nigerisë”.

Por lidhjet e Joshuas me Sagamun - themeluar si kështjellë në periudhën e fundit të Perandorisë Oyo dhe sot djep i kulturës Yoruba - janë shumë të forta. Të dy prindërit e tij, mamaja Yetunde dhe babai Jonathan, janë rrityr aty. Edhe vetë Anthony ka shkuar në një shkollë me konvikt aty kur ishte 11 vjeç, pasi e ëma mendoi që djali i periferisë kishte nevojë për pak më shumë disiplinë.

Por ajo që vlen më shumë të përmendet është se Joshua është pasardhës i aristokracisë së qytetit. Baba Josh nuk ishte vetëm stërgjyshi i Anthonyt, por edhe një figurë e rrallë për të gjithë zonën. Omo-Oba Daniel Adebamobo Joshua, shkurt Baba, u bë i famshëm duke përfituar nga pozicionimi strategjik i Sagamut, që ishte pikë kalimi ekskluzive nga grykëderdhja e lumit Niger deri në zemër të kontinentit afrikan. Ndikimi i tij në qytet mbetet edhe sot i pranishëm, nga shkolla dhe kisha që ai ngriti e deri te pronat që iu la trashëgimi secilës prej 25 grave të tij.

Nga jeta poligame e Adebamobos, i cili ka vdekur në vitin 1964, fisi Joshua është shtrihet sot në një territor tepër të madh, nga Londra në Lagos, por edhe qytete të tjera pranë Sagamut. E ndërsa një pjesë e familjes kërkon ta mbajë larg “djalin” nga lajkat e politikanëve nigerianë, pjesa tjetër kërkon që të ngjallë tek ai ndjenjën e fajit pasi nuk i viziton thuajse kurrë.

Në qytet, i pari i vendit është Adelaja Joshua, i cili është “koka e familjes”. Ai flet ngadalë dhe tregon se aftësitë e Anthonyt janë çështje gjenesh. “Edhe unë kam qenë boksier i mirë”, thotë, duke kujtuar se do të përfaqësonte Nigerinë në Lojërat Olimpike të vitit 1976 në Montreal, para se shteti të vendoste bojkotin për shkak të lidhjeve sportive mes Zelandës së Re dhe Afrikës së Jugut. “Boksi rrjedh në venat e Anthonyt”.

Në fakt, kjo është mëse e vërtetë. Gjyshi i kampionit të botës, Isaac, flitet se ka hedhur në tapet tre burra njëherësh, kur ata vunë në diskutim të drejtën e tij për t’u martuar me Moyan, një infermiere e bardhë irlandeze që punonte asokohe në zonë e që më pas do të bëhej edhe gjyshja nga babai e Joshuas.

Stërgjyshi i Anthonyt mbetet njeri i vlerësuar në zonë, pasi ka bërë shumë të mira publike, si krijimi i linjës së parë të autobusëve, por sot, njerëzit duket se kanë gjetur një pasardhës të denjë. Përveç vendosjes së emrit të tij në një rrugë, ose një kinema, ka nga ata që mendojnë se djali meriton edhe të quhet Princ.

Me shumë mundësi, Anthony do të qëndrojë larg këtij ambienti, sikurse ka bërë në 15 vitet e fundit, që kur la shkollën me konvikt në Nigeri për t’u rikthyer në Britani. Marrëdhënia e tij me vendin e origjinës është ende e trazuar. Nga një anë ai e ka përzemër Nigerinë, madje disa trajnerë të boksit kujtojnë se në vitin 2008 donte të merrte pjesë në Olimpiadë në atë flamur. Por nga ana tjetër ruan gjithmonë distancat duke refuzuar vazhdimisht ftesat nga Sagamu për të marrë pjesë në ndonjë eveniment atje.

Por Joshuat, në Sagamu, Lagos dhe Watford, duhet të jenë të sigurt që Anthony nuk e ka harruar kurrë familjen dhe origjinën. “Zemra ime është me Britaninë dhe me Nigerinë”, pati thënë dikur. “Gjaku im është nigerian”./EDS/

**********

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota ne kohe reale nga Futbolli dhe sportet tjera.

Kërkesa për kod të ri
Ne ju kemi dërguar një link për të ndërruar kodin. Ju lutem kontrolloni postën tuaj elektronike