U largua nga Partizani, Xhixhiua golashënues në ekipin e ri

U largua nga Partizani, Xhixhiua golashënues në ekipin e ri

Sulmuesi Mustafa Xhixhiua u largua zyrtarisht nga skuadra e Partizanit. Afrikani nuk ishte pjesë e listës që përpiloi trajneri Sulejman Starova për fazën përgatitore të “demave” në Turqi. Afrikani u detyrua të gjej një ekip të ri dhe nuk vonoi për ta bërë këtë.

Xhixhiua luajti sot me skuadrën e Erzenit në miqësoren kundër Ilirisë.  Ekipi i 22-vjeçarit fitoi me rezultatin 2-1 kundër fushëkrujasve. E veçanta e sfidës? Të dy golat u shënuan nga kamerunasi. Kjo ishte ndeshja e parë e Nevil Dedes në krye të stolit të shijakasve. Testi i parë rezultoi me sukses për teknikun që u zyrtarizua pak ditë më parë në krye të Erzenit.

TAKIMI – Ndeshja kishte një ritëm të kënaqshëm me të dy skuadrat që shfaqën dëshirë në fushën e lojës. Të parët kaluan në avantazh miqtë me Xhabrahimin në minutën e 32-të. Pjesa e parë përfundoi në favor të Ilirisë. Në pjesë e dytë ishte Xhixhiua që me dygolëshin e tij përmbysi rezultatin. Ai barazoi shifrat në minutën e 59-të, ndërsa në minutën e 65-të kaloi në avantazh Erzenin. Sfida përfundoi me këta shifra dhe duket se sulmuesi më në fund mund të marrë rolin e protagonistit në ekipin e ri.  

Erzeni 2-1 Iliria
Shënues: Mustafa Enok Xhixhiua 59′, 65′ / Xhabrahimi 32′