Useini: Më ka surprizuar gara, ky Flamurtar për titull... në Maqedoni

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
12 Janar 2018 15:02
Mesfushori i vlonjatëve "rrëfen" Superioren

Muhamedin Useini është një nga afrimet më cilësore të Flamurtarit në verë. Mesfushori i ardhur nga Renova, i cili më parë ka luajtur edhe me Shkëndijën e Tetovës, në një intervistë të dhënë për “Eduasportin.com”, flet për ecurinë e deritanishme, “sekretet” e Flamurtarit dhe gjithçka ndodh në Superiore.

Kur vjen puna te objektivat, në Vlorë përgjigja është standarde: “Objektivi ynë, ndeshja e radhës”. Për titullin asnjë nuk dëshiron të flasë, por nëse Flamurtari do konkurronte në Maqedoni, do kishte shanse ta mbyllte i pari, por duke rivalizuar ashpër me Shkëndijën, që konsiderohet ekipi më i mirë atje.

-Muhamedin, jeni prej disa muajsh pjesë e Flamurtarit. Si e gjykoni ecurinë e klubit tuaj dhe tuajën personale?

Si grup kemi ecur mjaft mirë, edhe pse gjithmonë mendoj se na mungojnë disa pikë. Si çdo futbollist, asnjëherë nuk mund të jesh i kënaqur nga vetja 100%, edhe pse jam i lumtur që u ambientova mjaft shpejt. Mendoj se kam bërë mirë këta pesë muaj dhe shpresoj të mund të jap akoma më shumë.

-Në gjithë përballjet e mëparshme, veç arbitrave, kush ka qenë rivali që ju ka hapur më shumë punë?

S’dua fare t’i komentoj arbitrat, e dinë shumica situatën. Sa i takon rivalit që na ka hapur punë është Skënderbeu, ekip ndaj të cilit duhet shumë impenjim për ta mposhtur.

-Sa ndikon në ecurinë e ekipit fakti që jeni shumë lojtarë që vini nga kampionati maqedonas?

Normale ndikon, pasi jemi shumë lojtarë që kemi luajtur bashkë ose kundër ndër vite.

-Ka diçka që ju ka surprizuar në kampionatin tonë?

Surprizë në krahasim me kampionatin e Maqedonisë është gara. Këtu nuk ke ndeshje të lehta, duhet shumë punë për 3 pikët në çdo ndeshje, pavarësisht kundërshtarit.

-Nëse ky ekip, i tanishmi, do konkurronte në kampionatin maqedonas, sa shanse do kishte për titullin kampion?

Do kishim shanse reale për t’u shpallur kampionë, por do ishte luftë e ashpër me Shkëndijën, ekipi më i mirë në Maqedoni.

-Po me përforcimet e bëra, a mendoni se mund ta rivalizoni Skënderbeun për trofeun?

Që në fillim të kampionatit i kemi marrë ndeshjet një e nga një dhe tani kemi atë mendim që në çdo ndeshje të jepet maksimumi, pastaj në fund bëhen llogaritë. Kurse për përforcimet besoj do ngrenë kualitetin e lojës, pasi që bëhet fjalë për futbollistë cilësorë.

-Grupi i bashkuar, harmonia në skuadër, duken evidente te Flamurtari. Çfarë ka tjetër të veçantë ekipi juaj?

Mund të them grintën dhe etjen për fitore.

-Afrimet e janarit janë lojtarë që ju i njihni, pasi i keni pasur në fushë si kundërshtarë në të shkuarën. Mund të na zbuloni diçka rreth tyre?

Të gjitha përforcimet janë super. Çuna të urtë, punëtorë dhe me shumë kualitet brenda vetes. Besoj që në fushë do i shohin të gjithë dhe do binden për këtë.

-Së fundmi, një mesazh për tifozët, por edhe për rivalët...

Të mbështesin ekipin, siç kanë bërë deri tani, sepse futbolli luhet për tifozët. Ne do japim më të mirën për fanellën dhe qytetin, sepse Flamurtari meriton të jetë vetëm lart.

 

Kërkesa për kod të ri
Ne ju kemi dërguar një link për të ndërruar kodin. Ju lutem kontrolloni postën tuaj elektronike