Vendim i befasishëm në Madrid, kriza “paralizon” merkaton

01 Qershor 2020

Pandemia e shkaktuar nga Koronaviru si i ka shtyrë kompeticionet e futbollit për në muajt qershor-korrik dhe Ligën e Kampionëve në gusht. Nuk do të jenë ndryshimet e vetme. E mendoni një verë ku Reali i Madridit dhe ekipet e mëdha nuk do të bëjnë blerje? Diçka që duket e pamundur është shumë pranë realitetit.

Kriza ekonomike do të ndikojë te të gjitha skuadrat dhe efektin më të madh do ta ketë zhvillimi i ndeshjeve pa prezencën e tifozëve. Një vendim i tillë do të ketë shumë pasoja negative te bilancet e klubeve. Drejtuesit e Realit të Madridit janë duke gjetur zgjidhje, por po bëjnë llogaritë me 150 milionë euro mungesë në arkat e klubit.

Mungesa e aktivitetit në stadiumin “Santiago Bernabeu” është një goditje e rëndë për klubin dhe si rrjedhojë merkatoja do të jetë më e vështirë. Të gjendur në këtë situatë, madrilenët mund të shkojnë drejt një vendimi drastik për të mos bërë transferime në merkato, me përjashtim të atyre çështjeve që janë të hapura dhe kërkojnë një përfundim.

TË “PARALIZUAR” – Emrat e Erling Haland apo Kamavingës janë më të lakuarit për momentin, por nuk janë të vetmit që i ka ndjekur me vëmendje Reali i Madridit. Kriza ka paralizuar të gjitha mundësitë për të kryer transferim, por për momentin drejtuesit madrilenë kanë mision vetëm të shesin lojtarë dhe jo të blejnë.

Jo vetëm në futboll, por edhe në të gjitha fushat e tjera. Situata nuk është aspak e lehtë. Pak skuadra në Europë mund të blejnë lojtarët që kishin planifikuar deri tani dhe nga ana tjetër, të paktë janë ata që mund të braktisin Realin në këto momente. Duke llogaritur edhe lojtarët e akademisë, të huazuar në disa skuadra të tjera, mund të jenë në total afro 40 lojtarë për sezonin e ardhshëm.

HAMES DHE BEJL – Problemi i madh është gjetja e skuadrave për lojtarët që nuk janë të rinj. Bëhet fjalë për lojtarë si Hames Rodrigez dhe Bejl, por edhe për Marselon. Këto raste duan shumë kujdes dhe drejtuesit po punojnë maksimalisht për të marrë të ardhura nga shitja e lojtarëve.

Por Bejl dhe Marselo vazhdojnë të mendojnë se janë lojtarë të rëndësishëm për madrilenët. Por vetëm nëse ata do të largohen, atëherë mund të bëhet një tentativë për të afruar ndonjë lojtar. Nuk duhet të harrojmë faktin se Hazard dhe Asensio do të jenë si blerje për Realin, por edhe të tjerët që do të rikthehen nga huazimet.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI  – PANORAMASPORT.AL

www.panorama.com