Vialli tregon luftën kundër kancerit: Nuk e di se si do të përfundojë

Gianluca Vialli prej një viti ndihet mirë. Por jeta për të para këtyre 12 muajve nuk ka qenë aq e lehtë. I është dashur që të përballet me një sëmundje të vështirë, kancerin, të cilët deri më tani e ka mundur, por realisht nuk e di se si kjo betejë do të përfundojë.

“Me gjithë qejf do të bëja edhe pa të. Por nuk ishte e mundur. Kështu që e konsiderova si një fazë të jetës që duhej jetuar me kurajë dhe nga ku mund të mësoja diçka”, tha ikona e futbollit italian në një intervistë për Corriere della Serra.

Vialli nesër do të publikojë librin e tij “Golat: 98 histori +1 për të përballuar sfidat më të vështira” (“Goals: 98 storie + 1 per affrontare le sfide più difficili”) . Qëllimi, të motivojë njerëzit dhe të tregojë eksperiencë e tij të vështirë.

“Nisa ta shkruaja librin për të ndihmuar njerëzit që të gjejnë rrugën e duhur. Kam mbledhur disa fraza motivuese, duke i ndërthurur me histori të mëdha sportive, që të ndihmojnë të kuptosh. Sepse citimet nuk funksionojnë nëse ti nuk funksionon. E dija që ishte e vështirë t’ua tregoje të tjerëve, familjes sime. Nuk do të doja kurrë të lëndoja personat që të duan, prindërit, vëllezërit, motrën, bashkëshorten time Cathryn dhe vajzat tona Olivia dhe Sofia. Ndihesha i turpëruar, sikur ajo që më kishte ndodhur ishte faji im. Të tjerët nuk dinin asgjë, pastaj vendosa ta tregoj historinë time dhe ta hedh në libër.”, tha Vialli.

Ish futbollisti i njohur thotë se tani ndihet më mirë, por të ardhmen nuk e di.

“Tani jam në rregull. Ka kaluar një vit dhe tani jam kafshë nga fiziku (bën humor), por nuk e kam sigurinë se si do të përfundojë ndeshja. Shpresoj që historia ime të shërbejë për të frymëzuar personat që gjenden në udhëkryq të jetës. Gjatë kurës, në mur spikaste një thënie e veçantë: Ne jemi produkt i mendimeve tona. E rëndësishme nuk është të fitosh, por të kesh mentalitet fituesi. Shpresoj që të dalë dikush e të më thotë: ‘ishte edhe merita jote që nuk hoqa dorë.’”, përfundoi legjenda e Chelsea-s. /EDS/

***********************

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota në kohë reale nga Futbolli dhe sportet e tjera