VIDEO | Askush si tifozët lushnjarë

Në tre takimet e para në kampionat Lushnja nuk është mundur. Dy barazime në transfertë dhe një fitore në fushën e tyre kundër Orikut. E nisën mbarë në Berat, aty ku edhe mund të kishin fituar, megjithatë, korrigjuan gjithçka në javën e tyre të dytë kundër Orikut në “Roza Haxhiu”. Ndeshja e javës së tretë mund të ishte vendimtare për të marrë kreun e tabelës, por në Rrogozhinë kundër Egnatias ata dolën nga fusha vetëm me rezultatin e bardhë, 0-0. Tashmë janë 5 pikë dhe në ndeshjen e radhës do të kërkojnë fitoren për të marrë pse jo kreun e tabelës.

Nuk po flasim për ndonjë skuadër me histori të madhe, të ketë fituar kupa apo trofe, apo të ketë luajtur në Europë. Po flasim për një ekip të Kategorisë së Parë, që dje udhëtoi me 1000 tifozë me vete.

Udhëtimi? Ai ishte më speciali, nga Lushnja në Rrogozhinë ata udhëtuan me tren. Gjë që as tifozët kryeqytetas nuk e bëjnë më tani. Dikur shkonin në Durrës apo Shkodër, por tani kjo traditë iu mbetet vetëm lagunarëve.

Në ndeshjen e djeshme, në atë stadium të vogël të qytetit të Rrogozhinës, që njihen vetëm për burgun që ndodhet atje, tifozët lushnjar u treguan se e duan skuadrën e zemrës. Mbështetje nga fillimi deri në fund! Dikush mund të pyeste se për çfarë trofeu po luhej, nuk ishte për trofe, vetëm java e tretë e kampionatit të Kategorisë së Parë. /EDS/

 

**********

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota ne kohe reale nga Futbolli dhe sportet tjera.