VIDEO/ Goditje për titull, Tirana befason në merkato, zyrtarizon Taulant Seferin, sulmuesi i Kombëtares transferohet në kryeqytet

05 Janar 2021

Tirana i bën vetes një dhuratë fantastike në këtë vit të ri. Në mënyrë befasuese, klubi bardheblu ka njoftuar arritjen e marrëveshjes me sulmuesin e Kombëtares, Taulant Seferi. Kjo është një lëvizje që shumë pak veta e imagjinonin, Seferi përfaqëson jo vetëm afrimin më cilësorë të kampionëve në vitet e fundit, por gjithashtu një nga goditjet më të bujshme të viteve të fundit në Superligë. Seferi prej kohësh kishte njoftuar se do të ndryshonte ambient në një kohë kur nuk po gjente hapësirat e nevojshme tek Young Boys.

Sulmuesi i Kombëtares transferohet në kryeqytet në formë huazimi deri në fund të sezoni me zviceranët që vijojnë të kenë në pronësi kartonin e tij. Pavarësisht se me Young Boys kishte humbur statusin si titullarë kohët e fundit, Seferi u kthye në pikë referimi në sulmin e Kombëtares, ku jo vetëm ishte pjesë e lojtarëve të grumbulluar por në disa ndeshje ishte dhe preferencë e parë e trajnerit Edy Reja. Nevil Dede do të ketë në dispozicion në këtë mënyrë një armë më shumë për të synuar me kohë të plotë titullin kampion. Afrimi i Seferit është goditja e parë e Tiranës në këtë merkato dimri por jo e fundit pasi bardheblutë janë në detajet e fundit për të mbyllur marrëveshjen me Ferhan Hasanin.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.Grupi Balkanweb
www.balkanweb.com