VIDEO | Kur Shqipëria habiti Evropën, a ishte kjo ndeshje një pikë kthese?

Ti mund ta lexosh kete ne 3 min.
10 Mars 2018 22:54
Sfida e 20 viteve më parë

Viti 1998 e gjente vendin në një situatë të rënduar politike, ekonomike, shoqërore, por sporti bënte përjashtim dhe Kombëtarja po lulëzonte, pasi kishte kohë që luante e barabartë me ekipet e mëdha. 5 golat e shënuar ndaj kampiones së Evropës Gjermanisë, ishte shembulli më i mire që kombëtarja po orientohej drejt një futbolli taktik dhe emocionues. Viti i mbrapshtë 1997 e pengoi futbollin po nuk e ndali dot. Nëse në kampionat mund të bëje çfarë të dëshiroje, në arenën ndërkombëtare kishe detyrime. Ekipi ynë u detyrua të emigronte në Zvicër dhe në Spanjë, në mënyrë që të zhvillonte ndeshjet e mbetura për Francë 98.


Shorti për Euro 2000 që zhvillohej në Belgjikë dhe Holandë, hera e parë në 2 vende, e vendosi Shqipërinë përballë Sllovenisë,Greqisë,Gjeorgjisë, Letonisë dhe Norvegjisë. Pikërisht ndaj këtyre të fundit u zhvillua një nga ndeshjet më të paharrueshme në historinë e kombëtares. Ishte hera e pare që qe nga viti i largët 1935, që në përfaqësuese grumbullohej një lojtar nga Kosova, ku të fundit ishin Riza Lushta dhe Naim Kryeziu. Bëhej fjalë për portierin Arjan Beqaj duke u shndërruar në këtë mënyrë në një kombëtare të vërtetë, që arrinte të bashkonte shqiptarët kudo që ndodheshin. Gjithashtu ishte hera e parë që grumbulloheshin më shumë lojtarë që luanin jashtë sesa në Superligë.


Eliminatoret kishin filluar me një humbje 1-0 në Tbilisi kundër Gjeorgjisë. Ndeshja e dytë ishte planifikuar të luhej në Tiranë ndaj Greqisë, por vrasja e Azem Hajdarit dhe ngjarjet që pasuan, nuk ofronin siguri dhe në këtë mënyrë UEFA vendosi që ndeshja të shtyhej më 18 nëntor.


Norvegjia kishte ekipin më të mirë në historinë e saj, e drejtuar nga Nils Johan Semb kishte arritur të mundte Brazilin dy herë. Një herë në miqësorë dhe hera e dytë në ndeshjen e fundit në grup në Francë 98. Rreziku kryesor sigurisht që ishte Tore Andre Flo, që në atë kohë po shkëlqente te Chelsea.


Ekipi u nis më 12 tetor dhe ndeshja u zhvillua më 14 tetor ku 17 500 tifozë norvegjezë po prisnin fitoren e radhës, por loja e kujdesshme dhe e përpiktë nga ana jonë do kapte në befasi ekipin norvegjez. Loja perfekte nga Xhumba dhe Shulku duke qarkulluar topin në mënyrë konstante, nervozuan norvegjezët duke i bërë të hiqnin dorë nga skema e zakonshme. Goli i parë erdhi nga një zbritje e befasishme në minutën e 38 ku Bushi realizoi një super gol, një nga më të bukurit në karrierë.
Në minutë e 55 u zhvillua një aksion model me shkëmbime pozicionesh, nga i cili Igli Tare shënoi një nga golat më të bukur në kombëtare duke bërë stadiumin të heshte. Shqipëria vazhdonte të dominonte ndeshjen deri në minutën e 81-të, ku arbitri akordoi një penallti shkaktuar nga Lala. U realizua nga një Solskjaeer i panjohur në atë kohë, që sapo ishte aktivizuar. Minutat e mbetura përbëheshin nga një miks dëshire dhe frike ndaj kundërshtarit.


Frika dhe pikërisht armiku kryesor që ka ndjekur gjithmonë kombëtaren, minutat e fundit mposhti dëshirën. Mbizotëronte mërzitja pasi ashtu siç shkoi loja, fitorja ishte rezultati më i saktë. Në këtë mënyrë kombëtarja kishte arritur barazimin më të bujshëm jashtë pas asaj me Poloninë në 1984. Këto eliminatore u pasuan me 3 barazime të tjera, me Greqinë 0-0 dhe dy ndeshjet me Letoninë 0-0 dhe 3-3. Ishte hera e parë që Shqipëria nuk renditej e fundit në grup, që për ato vite festohej njësoj si kualifikimi në Europian. Kjo ndeshje do të ishte ogur i mirë për këtë Kombëtare, pasi rezultatet filluan e të përmirësoheshin./EDS/

Data: 14.10.1998

Gjyqtar: Gerd Grabher (Austria)

Stadiumi,Pjesmarrja: 17500, Ullevaal Stadion, Oslo

Norvegjia: Frode Grodås, Alf Inge Håland (57′ Steffen Iversen), Erik Hoftun, Henning Berg, Stig Inge Bjørnebye, Jostein Flo ( 57′ Ole Gunnar Solskjær), Ståle Solbakken (90′ Sigurd Rushfeldt), Vegard Heggem, Tore André Flo, Kjetil Rekdal, Roar Strand Trajner: Nils Johan Semb 

Shqipëria: Foto Strakosha, Altin Lala, Ilir Shulku, Arjan Xhumba, Rudi Vata, Ervin Fakaj, Altin Haxhi, Alban Bushi (84′ Mahir Halili), Bledar Kola (90′ Edmond Dalipi), Altin Rraklli, Igli Tare Trajner: Astrit Hafizi

Golat: 0:1 (37.) Alban Bushi , 0:2 (52.) Igli Tare , 1:2 (82.) Kjetil Rekdal (pen.), 2:2 (86.) Henning Berg

 

Kërkesa për kod të ri
Ne ju kemi dërguar një link për të ndërruar kodin. Ju lutem kontrolloni postën tuaj elektronike