VIDEO/ Milan humb një tjetër shans, Lazio e barazon në minutën e fundit

Milan dhe Lazio u ndanë në barazim 1-1, me dy gola të shënuar në pjesën e dytë. Për Milan shënoi Kessie, ndërsa Correa barazoi shifrat në minutat e fundit. Pjesa e parë ishte më e mirë për vendasit, të cilët tentuan të prodhojnë lojë ndaj Milanit që kishte mungesa të mëdha në formacionin bazë. Gjithsesi skuadra e Gattuso u shfaq rrezikshëm në dy raste, një herë Calhanoglu goditi fort nga brenda zone por super reflekset e Thomas Strakosha bënë që topi të përfundojë në shtyllë. Më pas është Fabio Borini që godet nga jashtë zone por sërish gardiani kuqezi shfaq reflekset dhe e pret atë top që po shkonte në rrjetë.

Pjesa e dytë nis më mirë për Milan që provon të shënojë dhe e gjeti golin me Frank Kessie. Mesfushori shënoi në minutën e 78’-të  me një gjuajtje të devijuar nga jashtë zone dhe Strakosha dorëzohet këtë herë. Gjithsesi Lazio beson deri në fund dhe provon të bëjë gjithçka për golin e barazimit dhe ia del ta gjejë me Correan në minutën e katërt shtesë. Spanjolli merr para zone një top të larguar nga mbrojtja e Milan dhe mposht Donnarumman me një gjuajtje të saktë.

Milan humbi mundësinë për të marrë vendin e katërt, që përkthehet në zonën Champions pasi Lazio është kundërshtari i tyre direkt për këtë objektiv. Lacialët ndodhen në kuotën e 23 pikëve, ndërsa pas tyre vijnë kuqezinjtë me një pikë më pak. /EDS/

***********************

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota në kohë reale nga Futbolli dhe sportet e tjera.