VIDEO | Morata nderon Chelsea-n ndaj modestëve të MOL Vidi

VIDEO | Morata nderon Chelsea-n ndaj modestëve të MOL Vidi

Chelsea mori një fitore të vuajtur në “Stamford Bridge”, duke mposhtur me rezultatin e ngushtë 1-0 hungarezët e MOL Vidi. Përballë ishte një ekip modest krahasuar me atë që përfaqëson Chelsea, megjithatë të besuarit e Sarri-t vuajtën shumë duke arritur fitoren e dytë me të njëjtin rezultat. Italiani e nisi ndeshjen me disa ndryshime në formacion, duke u dhënë një shans lojtarëve që kanë luajtur më pak. Protagonist i ndeshjes ishte Alvaro Morata që shënoi golin e fitores, e cila ishte e dyta në Europa League.

Chelsea e dominoi kundërshtarin në 45’ minutat e para, por nuk arriti të finalizojë, me miqtë që patën raste më të favorshme për të tundur rrjetën. Pavarësisht mbështetjes së pakushtëzuar të tifozëve, blutë e Londrës nuk arritën të depërtonin mbrojtjen e hungarezëve. MOL Vidi pati një shans të artë për të kaluar në avantazh në fillim të së dytës me Loic Nego, por Kepa bëri një pritje vendimtare. Me aktivizim e Eden Hazard, ndryshoi loja e Chelsea-t. Loftus-Cheek dhe Morata rrezikojnë për vendasit, por vetëm kaq. Pas një aksioni të ‘orkestruar’ nga Fabregas, topi shkon te Willian, i cili pason te Alvaro Morata që nga brenda zonës nuk fal duke kaluar blutë në avantazh (70’). Chelsea ka një mundësi të mirë për të shënuar edhe golin e dytë, por Ross Barkley ndalet vetëm nga traversa (72’). /EDS/

**************************

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.
Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota në kohë reale nga Futbolli dhe sportet e tjera.