VIDEO/ Përralla e vëllezërve Kukaj: si e mashtruan median shqiptare me emrin e Realit

Besoj se të gjithë e keni parë filmin “Catch me if you Can”, që bazohet në jetën e Frank Abagnale, njëri prej mashtruesve më të mëdhenj në botë që aktivititetin e tij e kishte shtrirë në vjedhjen e llogarive bankare përmes identiteteve të rreme e që në personazhin hollivudian është portretizuar nga i madhi, Leonardo Di Caprio.

Por, edhe në Shqipëri disa vite më parë ka ndodhur një situatë pak a shumë e ngjashme në disa aspekte, por sigurisht jo me pasoja kaq të rënda. Në fakt, bëhet fjalë për një histori që ka lidhje me sportin dhe konkretisht me futbollin. Duhet të kthehemi në vitin 2009, kur për hir të së vërtetës, duhet ta pranojmë që interneti në vendin tonë nuk ishte kaq masiv. Dihet nga të gjithë që futbolli është sporti i preferuar në Shqipëri dhe ndeshjet e Kombëtares ndiqen nga një numër i madh njerëzish. Mania për të patur sa më shumë talente në Kombëtare mund të çojnë në gafa si ajo që po tregojmë.

Në ato vite nëpër portale apo edhe gazeta, flitej vetëm për një emër: Arlind Kukaj. Sipas përshkrimit që i bënte vetes, djaloshi duhet të kishte lindur në Spanjë, pikërisht në Madrid më 02.08.1993 dhe kishte filluar të merrej me futboll që në moshën 7-vjeçar, duke u bërë direkt pjesë e akademisë së Real Madrid. Dihet që Real Madrid është klubi ku çdo lojtar ëndërron të luajë një herë në karrierë, sepse historikisht kanë luajtur lojtarët më të mirë në botë dhe në periudhën që po flasim aty luanin disa yje si Cristiano Ronaldo, Mesut Özil, Iker Casillas, Gonzalo Higuain, Kaka, etj. Rreth miqësisë më këta lojtarë Kukaj do të deklaronte në një intervistë asokohe: “Me të gjithë kam folur dhe kam bërë foto, mirëpo miqësi më të madhe kam me Higuain, pasi edhe e kam idhull”. Aspak keq për një djalosh të asaj moshe. Sezonin tjetër Kukaj deklaronte se ishte i huazuar në Argjentinë tek Boca Juniors, duke shkëlqyer, aq sa një intervistë me të ishte e vështirë dhe ekskluzive. Po flasim për periudhën kur Kombëtares po i largohej një brez i shkëlqyer lojtarësh, dhe gjithë opinioni sportiv ishte në kërkim të alternativave. Dhe pikërisht ky ishte momenti i duhur për Arlindin që të dilte në skenë. I konsideruar si “shpëtimtari i Kombëtares”, fama e këtij lojtari arriti deri në pikën që platforma digjitale “Supersport” t’i dedikonte një speciale në emisionin “Zona Gol”, ku paneli që përbëhej nga specialistët të futbollit, diskutonin për të ardhmen e këtij lojtari. Kukaj nëpër intervista bënte thirrje që Kombëtarja ta grumbullonte, pasi Spanja po e priste. Po flasim për atë Spanjë që përbëhej nga yje të shumtë, dhe fakti që po priste përgjigjen nga ky lojtar, do të thoshte shumë për talentin e tij. Por atëherë kur të gjithë po prisnin shumë nga ky lojtar, ai u zhduk papritur nga skena. Por mesa duket talenti në familjen Kukaj nuk kishte të mbaruar.

Në skenë del vëllai i Arlindit, Malindi që luante në akademinë e Chelsea dhe sipas gojëdhënave në të kaluarën kishte qenë pjesë e akademisë së Real Madridit. Malindi ndryshe nga i vëllai luante si mesfushor, dhe nga postimet në rrjetet sociale, dukej që kishte miqësi me yjet e Chelsea-t. Në intervistat e shumta tregonte për aftësitë që kishte dhe se si shpresonte që një ditë do të luante me ekipin e parë, por çuditërisht nuk e përmendte fare të vëllanë. Ditën që Kosova u njoh nga organi më i lartë i futbollit botëror, FIFA, Malindi do të shkruante se kishte zgjedhur Kombëtaren e Kosovës, pavarësisht se në të kaluarën kishte luajtur me kombëtaren U-18 të Anglisë. Kaq mjaftonte që historia të përsëritej, me portalet e shumta që konkurronin njëra-tjetrën që t’i merrnin një intervistë.

Por nga një kërkim i thjeshtë në internet, u zbulua që fotot e Malind Kukajt i përkisnin një tjetër futbollisti të Chelsea, George McEachran. Një zbulim “tronditës” që tregon se personazhi i Malindit nuk ka ekzistuar asnjëherë, dhe eventualisht as ajo e vëllait të madh, Arlindit. Një ditë tragjike për futbollin shqiptar dhe atë botëror, pasi në një moment të vetëm humbën dy nga talentet më të mirë. PS: Edhe vëllai i tretë Artani luan me Realin. /M.SH/EDS/

ulaş utku bozdoğan
ulaş utku bozdoğan astrolog
ulaş utku bozdoğan