VIDEO | United rigjen fitoren dhe ‘blindon’ vendin e dytë

Manchester United rikthehet tek fitorja në Premier League pas humbjes shokuese në fundjavë nga West Brom duke mposhtur në transfertë 2-0 Bournemouth. Me nga një gol për çdo pjesë, të besuarit e Jose Mourinho, morën një fitore të rëndësishme për të ‘blinduar’ vendin e dytë në “Vitality Stadium”. Me këtë fitore United ngjitet në vend të dytë në kuotën e 74 pikëve, 4 më shumë se Liverpool që ndjek nga pas. Miqtë e nisën mjaft mirë ndeshjen duke kaluar të parët në avantazh me anë të mbrojtësit Smalling. Anglezi nuk e pati të vështirë ta dërgonte sferën në rrjetë me portën e boshatisur pas krosit të Lingard (28’). Ky fraksion u mbyll me avantazhin minimal të “Djajve të Kuq”, pavarësisht aksioneve të rrezikshme nga të dyja skuadrat në minutat e mbetura.

Në pjesën e dytë, sërish ekipi që luan më mirë është United dhe pas një aksioni të shpejtë “Djajtë e Kuq” shënuan edhe golin e qetësisë me anë të sulmuesit belg Romelu Lukaku. 24-vjeçari pas një asisi të shkëlqyer nga Pobga, me një gjuajte të fuqishme mposhti portierin Begovic duke i dhënë Bournemouth goditjen e nokautit (70’). Në disavantazh të dyfishtë vendasit e kërkojnë me insistim golin, por United mbrohet mirë me portierin De Gea, që bën disa pritje të shkëlqyera. Pavarësisht dëshirës së Bournemouth minutat e mbetura nuk prodhojnë më gol dhe loja mbyllet me rezultatin e sigluar nga Lukaku. /EDS/