Vllaznia, Brdaric nuk flet më për titull, Gurishta pa “doreza”: Kemi luftuar, të tjerët e kanë pasur autostradë

16 Maj 2021

5 pikë diferencë në 3 javë kampionat janë shumë për tu rikuperuar, për këtë arsye trajneri Brdaric nuk dëshiron ti futet më diskutimit titull, për të e rëndësishme është që ekipi i tij ti marrë maksimumin ndeshjeve të mbetura, duke nisur nga sfida e së hënës kundër Kastriotit, ndërsa llogaritë do të bëhen në fund pasi në valle është edhe finalja e Kupës së Shqipërisë:

“Jemi në fundin e sezonit dhe tani çdo pikë që merret është e rëndësishme. Jam i kënaqur me pikët në Ballsh dhe e them se e rëndësishme është që të grumbullojmë pikët. Si fillim, është një ndjenjë shumë e mirë kur e ke vetë në dorë për të arritur objektivat. E dimë që me këtë ekip mund të bëjmë mirë dhe jemi të bindur se do ia dalim.

Kastrioti? E njohim kundërshtarin, e dimë çfarë stili loje kanë. Më kujtohet ndeshja e fundit këtu, veç motit ata bënë një lojë të pandershme dhe duhet të mendojmë dhe veprojmë shpejtë.

Titulli? Ne jemi në këtë pozitë dhe nuk na intereson çfarë kemi bërë në të shkuarën. Të ecim përpara dhe të mësojmë nga gabimet. Jemi krenarë për këtë kampionat. Skuadrat që kemi përpara janë të mira, kanë investuar më shumë se ne por ne duhet të rritemi. Çdo ndeshje është një betejë dhe duhet të jemi gati për to, u shpreh Brdaric
Më i drejtë për drejtë në deklaratën e tij ishte kapiteni Gurishta, për të Vllaznia ka zhvilluar një sezon shumë të mirë, të vështirë dhe pa aleatë ndërsa objektiv janë tre vendet e para:
“Nuk ka ndeshje të lehta, Kastrioti është një ekip për t’u vlerësuar. Është një ekip agresiv, sidomos në fushën e vetë. Për ne nesër është një ndeshje finale. E konsiderojmë finale, sepse na duhet me doemos 3 pikët. Besoj se do të jetë një ndeshje e luftuar, sepse dhe Kastriotit i nevojiten pikë, por ne na nevojiten më shumë se ata. Një ndeshje që duhet ta fitojmë me çdo kusht.

Objektivi i Vllaznisë në këtë ndeshje do të jetë vetëm fitorja. Situata nuk është e komplikuar, është në dorën tonë. Kemi 2 ndeshje brenda një ndeshje jashtë. Po të bëjmë detyrat dhe të marrim pikët e duhura, çdo gjë do të jetë në rregull.

Janë bërë shumë gabime rrugës, po të flas realitetin, kemi zhvilluar një sezon shumë të mirë. Po ta shikojmë drejtë, ne kemi bërë luftë me të gjitha ekipet, ndërsa disa e kanë pasur autostradë. Ne nuk kemi pasur asnjë aleancë. Gjithsesi nuk është justifikim ky dhe nuk duhet të merremi me ekipet e tjera. Ne shikojmë punë tonë. Për deri sa matematika na mban në luftë për titullin, pse mos shpresojmë, por gjithsesi, objektivi jonë është që të jemi në 3 ekipet e para. Besoj që objektivi i Vllaznisë është drejt realizimit.

Kush e ka pasur autostradë? Shikohen qartë ndeshjet e Vllaznisë dhe të ekipeve të tjera. Ne të gjitha ndeshjet i kemi luftë, ndërsa ekipet e tjera shpeshherë nuk i bëjnë kështu.

Po t’i shikosh ndeshjet e Vllaznisë, pothuajse çdo ndeshje është me 6-7 kartona, ndërsa ekipet e tjera nuk kanë asnjë karton, ka shumë “Fair-Play”.

Nuk ka asnjë sparadë, nuk ka asnjë vonesë loje. Kur luajnë kundër Vllaznisë luftojnë për jetë a vdekje, si të jetë ndeshja e fundit. Ashtu do të jetë edhe nesër.

Po të jemi realist, Kastrioti ndeshjen e fundit që ka zhvilluar në Shkodër, ka treguar që është një ekip jo “Fair-Play”, loja ka qenë me vonesa të shumta. Gjithsesi ne ia kthyem reston në Kamzë. Ajo humbje iu djeg shumë, por nesër është një ndeshje tjetër dhe besoj do të marrim maksimumin”, u shpreh Gurishta.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.Grupi Balkanweb
www.balkanweb.com