Vllaznia në moment kritik, Brdaric me dhimbje kokë, në Korçë pa pesë titullarë

18 Shkurt 2021

Pas shiut, mungesat janë kthyer në makthin më të madh të trajnerit Brdaric. Fitorja kundër Apolonisë qetësoi ambientin në Shkodër, një fitore që erdhi pikërisht në momentin e duhur pas një ecurie negative ku humbën jo pak terren në raport me rivalët. Gjërat duket se po i riktheheshin sërish normalitet pasi dhe kalendari i favorizoi jo pak teksa këtë të diel duhet të bënin llogaritë me ekipin e fundit në tabelën e klasifikimit, Skënderbeun. Trajneri Brdaric dhe stafi i tij nuk mund ta bëjnë gjumin e qetë pasi në vigjilje të këtij takimi lista e mungesave sa vjen e shtohet. Eni Imami, Aleksandar Isaevski, Demir Imeri dhe Herald Marku janë katër mungesa të sigurta, të katër titullarë fiks në formacionin e tij.

Mevlan Adili

Listës së mungesave me shumë gjasa do ti shtohet një tjetër titullarë, nga më të rëndësishmit, pasi edhe qendërmbrojtësi Mevlan Adili nuk është stërvitur me pjesën tjetër të grupit. Adili vuan një dëmtim në këmbë që nga ndeshja kundër Laçit, një dëmtim që ka vënë në pikëpyetje prezencën e tij kundër Skënderbeut. Qendërmbrojtësi nuk ishte i pranishëm në sfidën e fundit, pasi kishte plotësuar numrin e kartonëve, por as kjo periudhë nuk ka qenë e mjaftueshme për tu rikuperuar plotësisht. Stafi drejtues nuk dëshirojnë të rrezikojnë me aktivizimin e tij duke parë edhe kalendarin në vijim ku pas Skënderbeut duhet të bëjnë llogaritë me Tiranën. Pavarësisht se Brdaric ka në dispozicion një grup të plotë, nuk është e lehtë të zëvendësosh pesë lojtarë titullarë, në ditët në vijim duhet të gjejë një zgjidhje të shpejtë pasi ndaj Skënderbeut është një ndeshje që duhet fituar, nëse nuk dëshirojnë të rihapin më shumë seç duhet garën për titull.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.Grupi Balkanweb
www.balkanweb.com