Vllaznia sqaron incidentin e trajnerit me gazetarët

04 Shkurt 2018

Vllaznia pësoi një tjetër humbje dhe tani rrezikon seriozisht mbijetesën. Presioni është i madh dhe këtë e shfaqi sot trajneri Ernest Gjoka në konferencën për shtyp pas disfatës me Skënderbeun. Pas një debati me gazetarët trajneri vendosi të braktisë konferencën duke treguar nervozizëm. Megjithatë për të qetësuar situatën ka menduar klubi i Vllaznisë, që nëpërmjet një komunikate për shtypin sqaroi incidentin me trajnerin.

“Klubi i Futbollit “Vllaznia” vlerëson kontributin e gazetarëve dhe medias në Shkodër në dobi të sportit dhe zhvillimit të tij. Çdo herë klubi “Vllaznia”, trainerët, stafi teknik dhe sportistët kanë qenë të gatshëm në komunikim publik me median duke dhënë informacion për vështirësitë dhe sfidat. Pas përfundimit të ndeshjes me Skënderbeun, si zakonisht trajneri i Vllaznisë z.Ernest Gjoka ka qënë i gatshëm t’i përgjigjet gazetarëve. Sot ndryshe nga herët e tjera komunikimi ka qenë i vështirë, ndoshta edhe prej rrethanave të krijuara ditën e sotme”, thuhet në deklaratën e klubit.

“Kësaj i duhet shtuar edhe situata jo e mirë që po kalon ekipi me dy humbje rradhazi në “Loro Boriçi” dhe pozicionin në renditjen në Supërligë. Të gjitha këto, duhet të kenë ndikuar në reagimin e sotëm të trajnerit Gjoka. Jemi të bindur se ajo që ka ndodhur sot, është vetëm një episod pas një ndeshje sfiduese dhe psikologjikisht të zorshme. Vazhdojmë të kemi bindjen se gazetarët dhe mediat kanë një rol të pazëvendësueshëm për pasqyrimin e punës tonë, duke shpresuar që të gjithë bashkë, shumë shpejt të mbështesim Vllazninë në nivelin ku e dëshirojmë të gjithë”, mbyllet deklarata e kuqebluve. /EDS/