Zbulohet klauzola e çuditshme që Interi i ka vendosur PSG-së për Icardin, kampioni francez dënohet nëse e shet argjentinasin në Serie A

09 Mars 2020

Mauro Icardi ende nuk e ka të qartë të ardhmen e tij.

Sulmuesi argjentinas është i huazuar nga Interi tek kampioni francez Paris Saint Germain deri në fund të sezonit.

PSG e ka opsionin e blerjes përfundimtare të argjentinasit për 70 milionë euro në fund të këtij sezoni.

Por mediat italiane dhe ato franceze kanë publikuar një klauzolë që është nënshkruar nga dy klubet.

PSG e ka të ndaluar ta shes Icardin tek ndonjë klub italian, por nëse ndodh një gjë e tillë atëherë do të duhet t’i paguajnë edhe 15 milionë euro të tjera Interit.

Mauro Icardi . (Photo by Dean Mouhtaropoulos/Getty Images)

Interi e ka vendosur këtë klauzolë pasi nuk dëshiron që Icardi të luaj për një klub tjetër italian.

Zikaltërit kanë frikë se ish-kapiteni i tyre do t’i bashkohet kampionëve në fuqi të Italisë, Juventusit.

Gjithsesi mbetet të shihet nëse PSG do ta aktivizojë klauzolën për ta blerë përfundimisht Icardin, pasi argjentinasi nuk i ka raportet e mira me drejtuesit e klubit.

Interesim për të kanë shprehur dy skuadrat e mëdha italiane Napoli dhe Juventus si dhe gjiganti anglez Chelsea. /Telegrafi/

www.telegrafi.com