Zbulohet kontrata milionëshe që Reali i kishte ofruar Lewandowskit, polaku tentoi ta prishte marrëveshjen me Bayernin për ‘Mbretërit’

03 Gusht 2020

Robert Lewandowski ka mundur të transferohet në Real Madrid në vitin 2014, por vendosi që të vazhdoj edhe më tej në Bundesliga te Bayern Munich.

Ylli polak mbeti futbollist i lirë pasi i kishte skaduar kontrata me Borussia Dortmundin dhe shumë klube të mëdha ishin vërsulur për të nënshkruar me të.

Kampioni në fuqi i Spanjës, Real Madrid ka qenë ndër skuadrat më të interesuara, madje i kishin bërë gati edhe një kontratë shumë të lartë financiarisht.

Ka qenë gazeta polake Onet Sport që ka zbuluar kontratën që Reali kishte përgatitur për polakun, kontratë që nuk u nënshkrua kurrë pasi Lewandowski vendosi të bashkohej me Bayernin.

Kjo gazetë polake ka publikuar detaje nga kontrata, ku për Lewandowskin ishte përgatitur një kontratë gjashtë vjeçare me pagë prej 8,6 milionë eurove në sezon.

Përpos kësaj në momentin që do të nënshkruante me Realin, Lewa do t’i merrte 10,957,650 euro si bonus pasi ishte futbollist i lirë.

Dokumenti që është publikuar nga Onet Sport ka gjashtë faqe, teksa ishte nënshkruar nga Jose Angel Sanchez, njeriu më i afërt i presidentit Florentino Perez si dhe Manuel Redondo, kreu i kabinetit të presidentit madrilen.

Në këtë kontratë ishin cekur edhe disa gjëra që polaku i kishte të ndaluara nëse i bashkohej Los Blancos si drejtimi i motorit, skitë, drejtimi i motorit të ujit apo ngjitje nëpër male.

Gjithsesi agjenti i lojtarit, Cezary Kucharski i ka thënë kësaj gazete se klienti i tij ishte gati t’i bashkohej Realit, por më herët ishte arritur marrëveshja me Bayernin.

“Lewandowski dëshironte të nënshkruante me Realin dhe ta hidhte poshtë kontratën me Bayernin, por ajo ishte e pamundur. Atij i pëlqente të jetonte dhe të luante në Madrid”, deklaroi Kucharski.

Robert Lewandowski (Foto: Stuart Franklin/Getty Images/Guliver)

Kjo tani ka marrë fund, pasi Lewa tani e gjashtë vite është pjesë e Bayernit, ku është padyshim njëri nga sulmuesit qendror më të fortë në botë. /Telegrafi/

Coronavirus – Statistikat

TotalKosova

Infektuar
Shëruar
Vdekur

Data credits CSSE at JHU

Trendi i Coronavirus-it në Kosovë

Data credits:corona-ks

Të gjitha lajmet rreth Coronavirus-it
www.telegrafi.com